Lajme

Osmani takim me komandantin e KFOR-it: Bandat kriminale serbe ende të lira, mos ndëshkimi i tyre është mesazh i keq

Presidentja Vjosa Osmani, gjatë një takimi sot me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, tha se bandat kriminale serbe që sulmuan misionin e NATO-s në muajin maj, fatkeqësisht janë ende të lirë dhe mos ndëshkimi i tyre është mesazh i keq dhe inkurajim për Serbinë që të sulmojë serish.

Ajo e përgëzoi KFOR-in për angazhimin e vazhdueshëm të kësaj force si reagues i tretë, për të garantuar siguri në Kosovë, si dhe shprehu mirënjohje për shtimin e trupave që po mbështesin institucionet vendore në patrullim të kufirit me Serbinë, në veçanti pas aktit të agresionit serb më 24 shtator në Banjskë.

Lexo më shumë  Dikur neutrale, sot fuqi e NATO-s: Suedia planifikon ta furnizojë aleancën me tetë aeroplanë luftarakë

Osmani ka potencuar rëndësinë e vazhdimësisë së koordinimit në mes të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, si dhe koordinimit me të gjitha institucionet e sigurisë në vend, në të mirë të stabilitetit e sigurisë për të gjithë qytetarët pavarësisht etnisë.

Ajo po ashtu u informua rreth gjendjes së ushtarëve të forcës shumëkombëshe të lënduar në veri të Kosovës në maj.

Lexo më shumë  Nis ceremonia e rreshtimit të kuadrateve të FSK-së

Presidentja Osmani shprehu besimin e plotë se institucionet e Kosovës, në bashkëpunim me forcat aleate, do të frenojnë çdo sulm të mundshëm të Serbisë, duke ruajtur kështu paqen e stabilitetin në vend dhe në rajon.

YouTube player