Lajme

Osmani: Serbia rreziku i vetëm i paqes në Ballkanin Perëndimor, BE-ja të dërgojë mesazhe të qarta

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia vazhdon të jetë rreziku i vetëm i paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Osmani ka thënë se Bashkimi Evropian dhe komuniteti ndërkombëtar duhet pasur kujdes, që të mos fajësojë njëjtë si viktimën ashtu edhe agresorin.

“Ne duhet të jemi shumë vigjilentë e të kujdesshëm, e të mos harrojmë veprimet dhe fjalët e Serbisë, pasi duhet të parandalojmë përshkallëzimin e situatës. Por, nuk mund të arrish parandalimin nëse fajëson viktimën në mënyrë të njëjtë si agresorin. Pavarësisht nëse flasim për Rusinë e Ukrainën, apo për Ballkanin Perëndimor. Serbia vazhdon të jetë rreziku i vetëm i paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe mëtej”, ka thënë Osmani në intervistë për “Euroacitv”. “Duhet të dimë se ka një burim destabiliteti. Ka vetëm një dhe ai burim shërben si satelit i Rusisë, për fat të keq dhe i shërben interesave të Rusisë”.

Osmani ka thënë se Bashkimi Evropian historikisht ka preferuar zbutjen e qetësimin, veçanërisht sa i përket Ballkanit Perëndimor.

“Ne e dimë ku na dërgoi kjo qasje. Çoi te luftëra të tmerrshme që rezultuan me vrasjen e 150 mijë civilëve, përdhunimin e mijërave, dhe varre masive…ende ka persona të pafajshëm që janë zhdukur me dhunë. Ky është rezultati”, tha Osmani.

Lexo më shumë  Diskriminimi ndaj shqiptarëve në Serbi, Von Cramon dhe eurodeputetët e tjerë shprehin shqetësimin dhe kërkojnë veprime

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se shumë të përfshirë në dialogun Kosovë – Serbi, besojnë se “bota nisi nga viti 2011”.

“Shumë të tjerë që janë tash të përfshirë, besojnë se bota nisi në vitin 2011, me dialogun Kosovë – Serbi. Por, nuk duhet të harrojmë se ka kontekst në atë dialog. Ka arsye pse jemi në situatën sot, dhe nuk mund të harrosh kontekstin e viteve 1990-ta”, tha Osmani.

Osmani ka thënë se Kosova do ta përdorë kohën për të shkuar para me reformat e rëndësishme, por edhe për të bindur shtetet mosnjohëse që ta njohin Kosovën.

“Duam të përdorim këto vite në dy fronte. E para, të sigurohemi që të shtyjmë para reformat e rëndësishme në shtetin tonë që do të na sjellin më afër BE-së. Dhe e dyta, të bindim gjitha shtetet anëtare të BE-së të përkrahin anëtarësimin e Kosovës dhe të na japin statusin e shtetit kandidat”, tha Osmani. “Pra, ne do të vazhdojmë me këtë qasje edhe me mosnjohësit e tjerë, disa prej të cilëve kishin një qasje më të ngurtë ndaj Kosovës, por mendoj se po arrijmë atje, vetëm se duhet të jemi të durueshëm”.

Lexo më shumë  Afrimi i Kinës me Rusinë dhe bashkërendimi kundër Amerikës, Xi do të vizitojë Serbinë

Osmani ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të dërgojë mesazhe të qarta.

Presidentja e Kosovës ka thënë zgjidhja e vetme e situatës mes Kosovës dhe Serbisë është njohja e ndërsjellë.

“Ne po punojmë të realizojmë këtë. Synimi ynë dhe e kemi në mend gjithmonë, është të mbrojmë integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, dhe karakterin unitar siç ofrohet me Kushtetutën tonë. Ne do të vazhdojmë të jemi konstruktiv, të hapur, të jemi kreativ, kur duhet, por kurrë në një mënyrë që do të bëjë Kosovën shtet jofunksional. Kjo është vija e kuqe”, tha Osmani.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *