Osmani në takim me kryeparlamentarin e Austrisë: Dialogu duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot është takuar me kryetarin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka.
Përmes një komunikate për media të presedentcës, bëhet e ditur se në takim është diskutuar avancini i bashkëpunimit mes dy vendeve si dhe presidentja ka theksuar mbështetjen e Austrisë për Kosovë.
“Populli i Kosovës nuk mund ta harrojë mbështetjen që Austria ua dha të rinjve tanë, duke i njohur diplomat e institucioneve tona të arsimit gjatë periudhës së okupimit, duke u krijuar atyre mundësi të shkëlqyera që ta ndërtojnë të ardhmen e tyre dhe të kontribuojnë më pas për vendin e tyre. Sot shumë sish janë pjesë e rëndësishme e institucioneve tona”- ka thënë Osmani.
Ndërkaq, sa i përket dialogut me Serbinë, Osmani tha se ky proces duhet ta ketë në qendër njohjen reciproke dhe ta ruajë pacenueshmërinë e sovranitetit dhe të rendit kushtetues të Kosovës.
Gjatë takimit, në komunikatë thuhet se Osmani është shprehur e bindur se Austria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përfundimin e procesit të liberalizimit, anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare
“Ndërkaq, kryetari Sobotka e rikonfirmoi vazhdimin e përkrahjes së Austrisë për këto synime”- thuhet në komunikatë.
Më tej, sipas kumtesës Osmani ka thënë po ashtu se Kosova vazhdon të jetë e përkushtuar për bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë për të kontribuar në për paqe dhe siguri të qëndrueshme.
Gjithashtu është diskuruar edhe për thellimin e bashkëpunimit ndërparlamentar mes dy vendeve.
“Kryetari i Parlamentit Austriak, Wolfgang Sobotka, e falënderoi Presidenten Osmani për vizitën dhe theksoi se Austria është e përkushtuar për t’i thelluar më tej raportet mes dy popujve dhe vendeve tona, si dhe theksoi gatishmërinë e Austrisë për bashkëpunim të mëtejmë”- njofton presidenca.
Osmani gjithashtu dje është pritur në takim nga homologu i saj austriak, Alexander Van der Bellen.
Rruga Press