Osmani mbledh strukturat e sigurisë pas sulmeve ndaj Policisë në veri
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbledhur të premten strukturat e sigurisë së Kosovë, pas sulmeve ndaj Policisë në tri ditët e fundit në veri.
Osmani po diskuton më këto struktura për situatën e sigurisë dhe hapat e mëtutjeshëm.
Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur përmes një konference për media të premten se Policia e Kosovës është sulmuar katër herë në tri ditët e fundit në pjesën veriore.
Ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se dy vetura të Policisë së Kosovës të cilat po bartnin zyrtarë policorë për në pikat kufitare në veri, janë sulmuar vetëm në mëngjesin e së premtes.
Sveçla ka thënë në konferencë se zyrtarët policorë të cilët po shkonin në pikat kufitare për ndërrimin e tyre, janë sulmuar me granatë dorë dhe armë AK-47. Ministri Sveçla e ka quajtur sulmin “terrorist”.
“Sot rreth orës 07:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për të realizuar ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm tashmë i faktuar me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Sveçla.
Sulmin e ka dënuar Bashkimi Evropian përmes zyrës së saj në Kosovë.
“Bashkimi Evropian në Kosovë dënon ashpër sulmin e dhunshëm ndaj patrullës së Policisë Kufitare të Kosovës në komunën e Zubin Potokut mëngjesin e sotëm. Policia e Kosovës është ofruesi kryesor i sigurisë dhe çdo përdorim i forcës kundër policëve të saj është i papranueshëm”, thuhet në përgjigjen e kësaj zyre për KOHËN të premten.
Ndërkohë, kanë reaguar edhe Presidenca dhe Qeveria e Kosovës të cilat kanë thënë se po tentohet destabilizimi i Kosovës dhe kanë kërkuar distancim të Serbisë.
Rruga Press