Opinion/Aktualitet

Oseku: Ju them tri arsyet për ta votuar Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e 9 shkurtit

Shkruan Frashër Oseku

Tri arsye për me votu për Lëvizjen VETËVENDOSJE!

1. Pse qeveria Kurti e lufton korrupsionin. Transparency International thotë se Kosova nën qeverinë Kurti i ka ngjitë 21 shkallë në gradë të antikorrupsionit. Sa për krahasim: Kosova sot i ka 41 pikë nga 100 të mundshme antikorrupsion. Serbia me 176 vjet traditë si shtet i ka 36 pikë. Shqipnia qe 112 vjet shtet, i ka 37 pikë. Bosnja e gjynahit i ka 35 pikë. Para se me marrë pushtetin qeveria Kurti, Kosova ka qenë e fundit në regjion, jo vetëm mbas Serbisë, Shqipnisë e Bosnjes, por edhe mbas Gambisë dhe Tanzanisë. Nga ky përparim fitojnë si qytetarët e Kosovës, ashtu edhe mërgimtarët. Opozita po ban çmos për me e ndalë këtë ecuri, tue i çu në kushtetuese të gjitha draftet e ligjeve kundër korrupsionit. I kanë çu në kushtetuese ligjin për veting të gjyqësorit, ligjin për byro për konfiskim të pasurisë së paligjshme, etj. E pra, unë e ti e kemi në dorë me i dënu për këtë sabotim, në shkurt.

⁠2. Pse qeveria Kurti e ka shtri sovranitetin e shtetit në çdo cep të Kosovës. Krahasuar me kohën para qeverisë Kurti gjendja ndryshon si dita me natë. Ne mërgimtarë që jetojmë në Perëndim e dimë më mirë se askush tjetër, se për qeveritë e perëndimit, respekti dallon prej mëshirës. Dikur diplomatët perëndimorë e shikonin Kosovën me sy të mëshirës; për të mos thënë me përbuzje, si shtet klient, që e shtyn kah të duash. Sot na këqyrin me respekt. Pse Kosova sot po del si shtet serioz, si para armiqve, ashtu edhe para miqve. Në vazhdim, nga ky sovranitet që e ka pru qeveria Kurti fitojnë edhe qytetarët e Kosovës, edhe ne si mërgimtarë. Opozita sot po insiston çmendurisht se ky sovranitet i shtuar diqysh qenka në dëm të Kosovës. E pra, unë e ti e kemi në dorë me i dënu edhe për këtë, në shkurt.

Lexo më shumë  Pas tri humbjeve zgjedhore, opozita në Kosovë përballet me krizë politike dhe mungesë reflektimi

3. Qeveria Kurti, me antikorrupsion dhe me sovranitet, po i krijon urtësisht kushtet për zhvillim ekonomik gjatë viteve në vijim. Puna është se investuesit kërkojnë stabilitet. Ata investojnë aty ku shteti sovran ua garanton sigurinë e lekut. Askush s’ka pare me djegë për mëshirë. Kosova nën qeverinë Kurti tërheq qysh sot investime të huaja 2.5 herë më shumë se mesatarja e investimeve të huaja para qeverisë Kurti. Mesatarja e investimeve të huaja nën qeverinë Kurti është 705.6 mil € në vit, krahasuar me 299.8 mil € në vit në mesatare para qeverisë Kurti. Tashti, opozita thotë se një hise e këtyre investimeve bëhen nga mërgimtarët, por kjo s’ka rëndësi. Nëse qeveria Kurti po arrin me i bindë më shumë mërgimtarët me investu në atdhe, ky është lajm i mirë. Si me besu me investim i huaji kur nuk të beson as i joti? Vetëm një opozitë që e urren mërgatën mundet me kujtu ndryshe. Edhe për këtë, unë e ti e kemi në dorë me e dënu opozitën, në shkurt.

Lexo më shumë  Sulmet emocionale ndaj VV-së, toni agresiv dhe tentimi për ta paraqitur veten si “shpresa e re” e opozitës, në praktikë po prodhon efekt të kundërt

Në shkurt, ne do ta votojmë pët me ndihmu lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe qeverinë Kurti me luftu korrupsionin, me e rujtë sovranitetin, e me kriju kushtet për zhvillim të qëndrueshëm. Por do të votojmë edhe për me dënu opozitën, pse s’ka marrë mend. Pse ende po e mbron korrupsionin. Pse po e saboton sovranitetin e shtetit. Dhe pse me këto dy veprime të mbrapshta po ia futë kazmën zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës: ju s’keni marrë mend deri sot, por ne do të ju japim prapë një shansë të re për me marrë mend. Në shkurt.

Rruga Press

YouTube player