Oseku: Ju them tri arsyet për ta votuar Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e 9 shkurtit
Shkruan Frashër Oseku
Tri arsye për me votu për Lëvizjen VETËVENDOSJE!
1. Pse qeveria Kurti e lufton korrupsionin. Transparency International thotë se Kosova nën qeverinë Kurti i ka ngjitë 21 shkallë në gradë të antikorrupsionit. Sa për krahasim: Kosova sot i ka 41 pikë nga 100 të mundshme antikorrupsion. Serbia me 176 vjet traditë si shtet i ka 36 pikë. Shqipnia qe 112 vjet shtet, i ka 37 pikë. Bosnja e gjynahit i ka 35 pikë. Para se me marrë pushtetin qeveria Kurti, Kosova ka qenë e fundit në regjion, jo vetëm mbas Serbisë, Shqipnisë e Bosnjes, por edhe mbas Gambisë dhe Tanzanisë. Nga ky përparim fitojnë si qytetarët e Kosovës, ashtu edhe mërgimtarët. Opozita po ban çmos për me e ndalë këtë ecuri, tue i çu në kushtetuese të gjitha draftet e ligjeve kundër korrupsionit. I kanë çu në kushtetuese ligjin për veting të gjyqësorit, ligjin për byro për konfiskim të pasurisë së paligjshme, etj. E pra, unë e ti e kemi në dorë me i dënu për këtë sabotim, në shkurt.
2. Pse qeveria Kurti e ka shtri sovranitetin e shtetit në çdo cep të Kosovës. Krahasuar me kohën para qeverisë Kurti gjendja ndryshon si dita me natë. Ne mërgimtarë që jetojmë në Perëndim e dimë më mirë se askush tjetër, se për qeveritë e perëndimit, respekti dallon prej mëshirës. Dikur diplomatët perëndimorë e shikonin Kosovën me sy të mëshirës; për të mos thënë me përbuzje, si shtet klient, që e shtyn kah të duash. Sot na këqyrin me respekt. Pse Kosova sot po del si shtet serioz, si para armiqve, ashtu edhe para miqve. Në vazhdim, nga ky sovranitet që e ka pru qeveria Kurti fitojnë edhe qytetarët e Kosovës, edhe ne si mërgimtarë. Opozita sot po insiston çmendurisht se ky sovranitet i shtuar diqysh qenka në dëm të Kosovës. E pra, unë e ti e kemi në dorë me i dënu edhe për këtë, në shkurt.
3. Qeveria Kurti, me antikorrupsion dhe me sovranitet, po i krijon urtësisht kushtet për zhvillim ekonomik gjatë viteve në vijim. Puna është se investuesit kërkojnë stabilitet. Ata investojnë aty ku shteti sovran ua garanton sigurinë e lekut. Askush s’ka pare me djegë për mëshirë. Kosova nën qeverinë Kurti tërheq qysh sot investime të huaja 2.5 herë më shumë se mesatarja e investimeve të huaja para qeverisë Kurti. Mesatarja e investimeve të huaja nën qeverinë Kurti është 705.6 mil € në vit, krahasuar me 299.8 mil € në vit në mesatare para qeverisë Kurti. Tashti, opozita thotë se një hise e këtyre investimeve bëhen nga mërgimtarët, por kjo s’ka rëndësi. Nëse qeveria Kurti po arrin me i bindë më shumë mërgimtarët me investu në atdhe, ky është lajm i mirë. Si me besu me investim i huaji kur nuk të beson as i joti? Vetëm një opozitë që e urren mërgatën mundet me kujtu ndryshe. Edhe për këtë, unë e ti e kemi në dorë me e dënu opozitën, në shkurt.
Në shkurt, ne do ta votojmë pët me ndihmu lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe qeverinë Kurti me luftu korrupsionin, me e rujtë sovranitetin, e me kriju kushtet për zhvillim të qëndrueshëm. Por do të votojmë edhe për me dënu opozitën, pse s’ka marrë mend. Pse ende po e mbron korrupsionin. Pse po e saboton sovranitetin e shtetit. Dhe pse me këto dy veprime të mbrapshta po ia futë kazmën zhvillimit të qëndrueshëm të Kosovës: ju s’keni marrë mend deri sot, por ne do të ju japim prapë një shansë të re për me marrë mend. Në shkurt.
Rruga Press