KryesoreLajme

OSBE mbështet bashkëpunimin në mes Kosovës e Karolinës së Veriut

Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) dhe Akademia e Drejtësisë e Karolinës së Veriut të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ADKV) nënshkruan sot një marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi.

Bëhet e ditur se marrëveshja është rezultat i punës programore të Misionit të OSBE-së që synon zhvillimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve të AKSP-së për t’i trajnuar profesionalisht gjeneratat e reja të zyrtarëve të sigurisë publike.

“Marrëveshja u nënshkrua nga Zëvendësdrejtori i ADKV-së, z. Christopher Anderson, i cili vizitoi AKSP-në në cilësinë e përfaqësuesit kryesor të ADKV-së dhe nga Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, z. Kastriot Jashari, përkrahur nga Jeta Tela-Shema nga Ministria e Punëve të Brendshme”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të OSBE-së.

Në këtë njoftim thuhet se nëpërmjet kësaj marrëveshje, AKSP dhe ADKV zotohen që t’i shkëmbejnë planprogramet dhe standardet e sigurimit të cilësisë, të krijojnë rrjet të instruktorëve, si dhe t’i ndajnë synimet e planifikimit strategjik që do të çojnë të dy akademitë drejt një të ardhmeje të fuqishme të edukimit për siguri publike dhe zhvillim të karrierës.

Lexo më shumë  Vendoset gurthemeli i shkollës në lagjen “Prishtina e re”, Nagavci: Do të ketë kushte shumë të mira për nxënësit

“Akademia e Drejtësisë e Karolinës së Veriut dhe Departamenti i Drejtësisë i Karolinës së Veriut janë të përkushtuar për ta mbështetur marrëveshjen e nënshkruar sot dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me AKSP-në. ADKV është e përkushtuar të zhvillojë karrierat e profesionistëve të sigurisë publike përmes mbështetjes dhe bashkëpunimit tonë në të ardhmen. ADKV është falënderuese ndaj Misionit të OSBE-së në Kosovë dhe Qeverisë së Kosovës për mbështetjen e dhënë në suazat e përpjekjes për ta nënshkruar këtë marrëveshje” – tha Anderson.

Ushtruesi i Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të AKSP-së, z. Jashari, tha: “Dëshiroj ta falënderoj Misionin e OSBE-së në Kosovë dhe Zëvendësdrejtorin e Akademisë së Drejtësisë në Karolinën e Veriut, Chris Anderson, për arritjen e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme ndërmjet dy akademive. Ndër dobitë e shumta të kësaj marrëveshjeje historike, do të doja të theksoja veçanërisht shkëmbimin e ekspertëve të fushës dhe hartimin e kurrikulës, si dhe vullnetin e akademive për ta çuar përpara zhvillimin e akademisë në nivel ekzekutiv dhe sigurimin e cilësisë.”, thuhet tutje në njoftim.

Lexo më shumë  Shqipëria në 2024 shiti më pak prodhime shqiptare në tregjet ndërkombëtare ndërsa nga ana tjetër bleu më shumë mallra të huaja. Bizneset në prag falimentimi

Gjithashtu, bëhet e ditur se nënshkrimi i marrëveshjes së sotme vjen pas vizitës së parë të ADKV-së në AKSP në vitin 2023 – me përkrahje të OSBE-së – që ndihmoi në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy akademive dhe njoftimin e AKSP-së me mekanizmat e akredituar dhe të testuar të sigurimit të cilësisë, si dhe me kurrikulën dhe përgatitjen e instruktorëve, që përbëjnë standardet kryesore të vendosura nga Shoqata Ndërkombëtare e Drejtorëve të Standardeve dhe Aftësimit për Agjencitë e Zbatimit të Ligjit (IADLEST ) dhe të përdorura nga akademitë në SHBA.

YouTube player