OSBE-ja dhe OKB-ja deklaratë kritike për lirinë e shtypit në Shqipëri
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorit Vincenzo Del Monaco dhe Koordinatorja e Përhershme të OKB-së në vendin tonë, Fiona McCluney, kanë bërë një deklaratë të përbashkët.
Në deklaratë thuhet se, “mediet e pavarura, të lira dhe pluraliste qëndrojnë në qendër të qeverisjes së mirë dhe të shtetit të së drejtës. Ato kontribuojnë në garantimin e transparencës dhe llogaridhënies, promovimin e pjesëmarrjes në ligjërimin publik dhe politik, dhe nxitin proceset demokratike. 3 Maji shërben për t’u rikujtuar qeverive se sa e nevojshme është që ata të respektojnë angazhimin e tyre për lirinë e shtypit”.
“Siç theksohet nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit “ne vendosim në qendër të vëmendjes punën thelbësore të gazetarëve dhe punonjësve të tjerë të medias, që kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie nga ata në pushtet, shpesh duke vënë në rrezik të veten e tyre. (…) Pa lirinë e shtypit, nuk ka shoqëri të vërteta demokratike. Pa lirinë e shtypit, nuk ka liri”, thuhet në deklaratë.
“Këtë vit, Dita Botërore e Lirisë së Shtypit, me temën “Gazetaria nën rrethimin dixhital”, vë në pah mënyrat e shumta se si gazetaria rrezikohet nga mbikëqyrja dhe sulmet e ndërmjetësuara në formë digjitale ndaj gazetarëve, si dhe pasojat që kjo sjell te besimi i publikut në komunikimet digjitale. Epoka digjitale ka krijuar një mjedis me zhvillim të shpejtë, i cili, ndërsa nga njëra anë ka demokratizuar qasjen në informacion dhe ka rritur shkëmbimet përtej kufijve, nga ana tjetër ka ndikuar në të drejtën e privatësisë dhe në shumë rrethana i ka vënë punonjësit e medias dhe burimet e tyre akoma më në rrezik për t’u shenjëstruar, ngacmuar dhe sulmuar – për shembull, për shkak të ruajtjes së të dhënave, spyware-ve dhe mbikëqyrjes digjitale”, vijon deklarata.
“Në mesin e kërcënimeve në rritje për sigurinë tonë të përbashkët dhe një pandemie globale, ne varemi më shumë se kurrë nga gazetaria e pavarur, e bazuar në fakte dhe e besueshme, si një busull për të lundruar në oqeanin e informacionit, keqinformimit, dezinformimit, lajmeve të rreme dhe propagandës. Në mbarë botën, kjo ditë shërben si një kujtesë për qeveritë dhe udhëheqësit për nevojën për të respektuar lirinë e shtypit. Ajo është gjithashtu një mundësi për profesionistët e medias që të reflektojnë mbi etikën profesionale”, tha ambasadori Del Monaco.
“Në këtë Ditë Botërore të Lirisë së Shtypit, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Kombet e Bashkuara në Shqipëri dëshirojnë të nderojnë punën thelbësore të gazetarëve dhe profesionistëve të medias. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj kauzës së lirisë së medias në vend, si një kauzë e domosdoshme për ndërtimin e institucioneve dhe shoqërive të forta e të qëndrueshme”, thuhet më tej në deklaratë.
”Në kontekstin e Shqipërisë, dëshirojmë të theksojmë edhe një herë rëndësinë e mesazheve të mëposhtme: Të mbrohen profesionistët e medias dhe gazetarët nga dhuna, frikësimi dhe ngacmimi, si në internet ashtu edhe jashtë tij, dhe t’u jepet qasje në veprimtaritë publike, edhe gjatë fushatave zgjedhore; Të sigurohen kontrata të duhura pune për profesionistët e medias dhe gazetarët, qasje më e mirë në informacion, liria e shprehjes dhe rritja e profesionalizmit; Të forcohen përpjekjet për të garantuar pluralizmin e medias, kufizimin e përqendrimit të pronësisë së medias dhe të nxitet vetërregullimi i medias si alternativë shumë më e mirë se sa rregullimi nga ana e qeverisë.”
Dita Botërore e Lirisë së Shtypit u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 1993.
Rruga Press