Opozita nuk e do Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit të Kosovës ose sepse ajo i ka sytë e zi, ose sepse opozita do koalicion bashkëqeverisës me Vetëvendosjen
Shkruan Donik Sallova
Opozita nuk e do Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit të Kosovës ose sepse ajo i ka sytë e zi, ose sepse opozita do koalicion bashkëqeverisës me Vetëvendosjen!
Nuk ka asnjë argument politik, juridik a kushtetues që opozita të mund të arsyetojë qëndrimin e vet bllokues në procesin e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Çështja e zgjedhjes së kryetarit të kuvendit nuk mund të jetë garë politike apo betejë politike, sepse beteja politike ishin zgjedhjet. Rezultati zgjedhor si një fakt politik nëpërmjet procedurës kushtetuese realizon procesin demokratik të rilegjitimimit të pushtetit qeverisës.
Në këtë kontekst, zgjedhja e kryetarit të Kuvendit më shumë është një procedurë formale që determinohet kushtetutshmërisht nga rezultati zgjedhor: “kryetari i kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicë votash”. Propozimi dhe zgjedhja në këtë rast janë element konstituiv dhe jo ballafaqim politik. Por, konstituimi i Kuvendit të Kosovës nuk mund të lidhet vetëm me postin e kryetarit të Kuvendit, sepse Kuvendi quhet i konstituuar atëherë kur të zgjedhet kryesia e plotë. Jo rastësisht kushtetutbërësi e quan kuvendin të konstituuar vetëm pas zgjedhjes së kryesisë së plotë, pra kryetarit dhe nënkryetarëve, sepse kryesia është organi kolegjial drejtues e vendimmarrës i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në këtë organ kolegjial të cilin e drejton kryetari (dhe nënkryetarët në mungesë të tij), vendimet lidhur me funksionimin e legjislativit merren me shumicë votash dhe quhen vendime të kryesisë së kuvendit. Kryetari i kuvendit drejton seancat plenare dhe përfaqëson Kuvendin, por nuk merr vendime individuale që determinojnë funksionin legjislativ të kuvendit.
Në këtë kuptim, beteja e opozitës me emrin e kryetarit të kuvendit është betejë e pamundur politike sepse është betejë antikushtetuese dhe në thelb antiparlamentare. Opozita, përkatësisht subjekti i dytë, tretë e kështu me radhë nuk mund ta propozojnë emrin e kryetarit të kuvendit, sikurse partia e parë nuk mund t’i propozojë emrat e nënkryetarëve që u takojnë subjekteve në fjalë. Kjo do të thotë se as nuk mund të kushtëzohen këta emra e as të refuzohet zgjedhja e tyre, sepse bëhet fjalë për një procedurë kushtetuese e determinuar nga rezultati zgjedhor. Është realizim i një të drejte/detyre kushtetuese që u takon subjekteve politike parlamentare, të propozojnë kryetarin, përkatësisht nënkryetarët siç e parasheh kushtetuta dhe ta bëjnë kryesinë pa të cilën kuvendi nuk mund të funksionojë.
Prandaj, akti i zgjedhjes së kryesisë së kuvendit si kusht i themelimit të legjislaturës së re nuk është vetëm detyrë e të parit siç po pretendohet nga opozita. Kjo është një detyrë e të gjitha subjekteve parlamentare dhe e të gjithë deputetëve, duke i bërë propozimet përkatëse për kryesinë e kuvendit dhe duke i votuar ato. Zgjedhja e kryesisë, kryetarit dhe nënkryetarëve, nuk është një garë votash, por një votim formal që legjitimon rezultatin zgjedhor, i cili ka përcaktuar se kush do ta drejtojë kuvendin përmes kryetarit dhe nënkryetarëve. Të refuzosh zgjedhjen e kryesisë së kuvendit do të thotë të refuzosh rezultatin zgjedhor, të bllokosh procedurën kushtetuese dhe të pamundësosh demokracinë.
Ka vetëm një rrethanë kur pozita e kryetarit të kuvendit bëhet objekt i negocimit politik: nëse kjo pozitë përfshihet në marrëveshjen e përgjithshme të bashkëqeverisjes ndërmjet subjektit të parë dhe subjekteve të tjera politike (të dytit, të tretit etj.). Si duket opozita këtë gjë po e dëshiron, por nuk po e kërkon.
Partitë opozitare duke e bllokuar zgjedhjen e kryesisë së kuvendit përmes mosvotimit të kryetarit, ose po kërkonjnë t’i imponojnë Vetëvendosjes bashkëqeverisje ose vërtetë nuk duan ta votojnë Albulena Haxhiun sepse ajo i ka sytë e zi! Më logjike, më politike dhe e vërtetë duket të jetë arsyeja e parë, sepse “pëlqimi” apo “mospëlqimi” i personit që propozohet të bartë postin e kryetarit të kuvendit, nuk është as kategori e as nocion kushtetues. Ai propozim i takon të parit i cili zgjedh cilindo emër brenda radhëve të veta të grupit parlamentar. Pra, në këtë rast, të mos e pëlqesh emrin e të propozuarit nuk është as veprim politik (juridik jo se jo), sepse partitë nuk garojnë në zgjedhje për t’i pëlqyer njëri-tjetrit, por elektoratit, i cili përcakton kush janë të pëlqyerit e vet për deputetë. Ç’kuptim do të kishte që partitë kundërshtare t’i përzgjedhnin propozimet e njëri-tjetrit, për pozicione që u garantohen me kushtetutë? A duhet tash që partitë t’ia përcaktojnë njëra-tjetrës edhe emrat e kryetarëve të komisioneve që u takojnë me kushtetutë dhe rregullore të Kuvendit?
Në fund, duke e bllokuar konstituimin e Kuvendit përmes ndërlidhjes me emrin e përveçem të Albulena Haxhiut, opozita do që të imponojë marrëveshje politike për t’u përfshirë në pushtet. Dhe këtu gara bëhet mes PDK-së e LDK-së, të cilat pasi shkaktuan bllokim disamujor të kuvendit, hyrjen në bashkëqeverisje me Vetëvendosjen (të cilën e përjashtuan si opcion në terma kategorik që në fushatë zgjedhore) do t’ia paraqesin publikut (pasi “të lodhen” nga pritja) si një sakrificë politike për zhbllokimin e konstituuimit të Kuvendit të Kosovës dhe nornalizimin e jetës institucionale e shtetërore. Duke e kthyer për disa muaj figurën e Albulena Haxhiut në një “gogol politik”, dy partitë e mëdha oozitare synojnë ta justifikojnë hyrjen në bashkëqeverisje me VV-në, me gjasë duke e kërkuar pozitën e kryeparlamentarit në kuadër të marrëveshjes së përgjithshme të ndarjes së pushtetit. Logjikë tjetër nuk ka.
Cila opozitë do ta reduktonte betejen e vet politike në emrin e kandidatit për kryetar të kuvendit, ku propozimin (pra, përzgjedhjen) e ka të garantuar kushtetutshmërisht i fituesi, ndërkohë që qeveria në detyrë e të parit vazhdon realizimin e programit të mbetur qeverisës? Një opozitë synon ose t’ia marrë pushtetin qeverisë aktuale, ose ta ndajë pushtetin me të ose të shkojë sërish në zgjedhje për ta ndryshuar realitetin politik. Nëse opozita e vazhdon bllokadën për shkak të Albulena Haxhiut, Qeveria Kurti në detyrë vetëm sa do t’i plotësojë objektivat e mbetura qeverisëse dhe do të shkojë me e gatshme drejt një procesi të ri zgjedhor!
Rruga Press