Opozita në Kosovë nuk është e interesuar për zgjidhje, por për të krijuar krizë politike, sidomos pasi ka kaluar Ligji për Konfiskimin
Nga Frashër Oseku
Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka ofruar Lidhja Demokratike e Kosovës bashkëqeverisje, me postin e zëvendëskryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera për partnerët.
Pra, qartë shihet se Lëvizja ka qenë e hapur për marrëveshje dhe bashkëpunim, ndërsa kërkesa për tri poste nga ana e saj nuk është as afër realitetit që po diskutohet.
Kjo që po ndodh tregon qartë se opozita nuk është e interesuar për zgjidhje, por për të shkuar në zgjedhje dhe për të krijuar krizë politike.
Njëkohësisht, ata që kërkojnë “propozime konsensuale” nga Lëvizja Vetëvendosje, vetë nuk sjellin asnjë propozim serioz, as Partia Demokratike e Kosovës – PDK e as LDK-ja.
Madje, kur Lëvizja dhe Glauk Konjufca kanë garantuar se, nëse ka një emër konsensual, ai tërhiqet, prapë nuk ka reflektim. Sinqerisht, kjo tregon mungesë totale serioziteti dhe përgjegjësie politike.
Në të njëjtën kohë, PDK-ja ka kërkuar nga Albin Kurti që të bëjë një marrëveshje politike blanko, ku ata i propozojnë dy kandidatë dhe Lëvizja Vetëvendosje t’i votojë qorrazi.
Kjo gjë tregon qartazi se ata duan zgjedhje, sidomos pasi Ligji i Byrosë për Konfiskim të Pasurisë së Pajustifikueshme ka kaluar dhe janë bërë publike pasuritë e tyre marramendëse, të cilat vetë i kanë deklaruar—pa folur për ato që mund të jenë të padeklaruara.
Rruga Press

