Lajme

Oligarkët përfitojnë nga shtyrja e afatit për ‘investimet strategjike’

Opozita dhe ekspertët e ekonomisë kundërshtuan shtyrjen e afatit të ligjit për investimet strategjike, duke theksuar se kjo skemë ka tërhequr para të pista dhe sjellje klienteliste në favor të oligarkëve, si dhe ka cënuar pronën private duke nxitur konflikte sociale.

Në seancën e fundit të vitit parlamenti miratoi pa debat dhe vetëm me votat e mazhorancës, një zgjatje të re afati për zbatimin e ligjit për ‘investimeve strategjike’ deri në vitin 2023.

Me 75 vota pro, mazhoranca qeverisëse votoi të hënën propozimin e deputetit socialist, Arben Pëllumbi, i cili u fut me procedurë të përshpjetuar në seancë plenare dhe nuk pati diskutime në komisionet parlamentare.

Gjatë fjalës së tij në seancë plenare, Pëllumbi argumentoi se shtyrja kërkohej pasi disa nga projektet e miratuara nga qeveria rishtazi, akoma nuk kishin nisur nga puna pasi “shtrihen ne zona ku ende nuk ka përfunduar regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme”.

Ai tha se me shtyrjen e afatit të zbatimit të ligjit, do i jepet kohë Kadastrës që të vendosë pronat në dispozicion të këtyre investimeve. Prezantimi i deputetit Pëllumbi nuk tërhoqi vëmendje dhe nuk krijoi debat në sallën e mbetur gjysëm bosh të Kuvendit, ku të hënën mungonin deputetët e opozitës.

Megjithatë, pas seacës plenare disa prej tyre reagun, duke e cilësuar projektligjin si cënim për të drejtën e pronës private në favor të interesave të oligarkëve.

Kundër shtyrjes së afatit të ligjit janë shprehur dhe ekspertët e ekonomisë, të cilët i cilësojnë këto investime si klienteliste, duke theksuar se ato kanë krijuar konflikte sociale dhe janë kthyer në një instrument për kanalizimin e parave të pista në ekonomi.

Ligj në përfitim të oligarkisë

Ligji për investimet strategjike i njeh statusin investitor strategjik çdo subjekti që investon më shumë se 5 milionë euro dhe punëson 80 punëtorë. Për të lehtësuar procedurat e këtyre investitorëve qeveria ka miratuar 10 vendime duke u mundësuar konsolidimin e titujve të pronësisë. Në bazë të tyre shteti është i detyruar t’i ofrojë investitorëve strategjikë infrastrukturë ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm, kanalizime dhe trajtim të ujërave të ndotura, si dhe infrastrukturë rrugore.

Ligji i miratuar fillimisht në vitin 2015, parashikonte dhjetorin e 2018-ës si afat përfundimtar për marrjen e statusit “investitor strategjik”, por mazhoranca ka preferuar t’a zgjasë disa herë këtë afat me të njëjtin argument; krijimi i boshllëkut ligjor për investimet me premtimin e vazhdueshëm të ministrisë së Financiave për hartimin e një ligji të ri.

Sipas ligjit në fuqi, shteti i ofron mbështetje me infrastrukturë dhe konsolidim të titujve të pronësisë çdo kompanie që fiton statusin e “investitorit strategjik”.  Ky status, në mënyrë të veçantë në bregdetin e Jonit, kanë krijuar konflikte me banorët vendas, pasi gjurmët e resorteve janë hedhur mbi prona të kontestuara.

Sipas kritikëve zbatimi i ligjit duket se është kthyer në një instrument në shërbim të pak personave të lidhur me pushtetin, pa sjellë ndonjë ndikim të dukshëm në ekonomi.

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku në një qëndrim publik të martën e cilësoi kët akt juridik, si ligjin që i hapi rrugë “krijimit të oligarkisë”. Tabaku theksoi se zbatimi i këtij ligji ka sjellë shumë problematika.

“E drejta e pronësisë së tokës do të njollosej pasi investitorit strategjik i jepej një ndihmë e padrejtë në raport me pronarin e tokës, duke cenuar një nga bazat e tregut të lirë dhe kapitalizmit, atë të kapitalit të tokës,” deklaroi Tabaku.

Sipas nënkryetares së PD-së ligji ka dështuar të thithë investime të huaja por është përdorur për përfitime nga njerëz të afërt me qeverinë.

Lexo më shumë  Nënsekretarja e Shtetit për Diplomacinë Publike në ShBA do të vizitojë Kosovën

“Këto nuk janë investime strategjike, pasi e gjithë kjo është një maskim për atë që realisht po ndodh në këtë vend; vjedhje me ligje dhe procedura në kurriz të pronarëve dhe shqiptarëve,” shkruan Tabaku duke e cilësuar pa logjikë ekonomike shtyrjen e afatit.

Edhe deputeti tjetër i PD-së, Bujar Leskaj, e kundërshtoi këtë ligj. Ai solli në vemendje një raport të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku theksohet se ligji i investimeve strategjike “korrupton logjikën investuese dhe nuk është aspak miqësor me investitorët e huaj”.

Leskaj i tha BIRN se mënyra si u propozua shtyrja e afatit, jo nga ministri i linjës, por nga një deputet, tregon përpjekjen “e sektit Rama, për të mos bërë transparencë mbi mbarëvajtjen e investimeve të huaja dhe vendase”.

Ai e konsideroi ligjin një “maskim të qeverisë Rama për të favorizuar kompanitë vendase beniamine të tij, gjoja në emër të investimeve stratregjike në turizëm, por në fakt, duke u grabitur tokat banorëve të Jugut të Shqipërisë”.

Nxitja e konfliktit për pronën

Me shqetësim e shohin zbatimin e këtij ligji edhe ekspertët e ekonomisë, në raport me të drejtën e pronësisë dhe mungesën e një impakti në ekonominë e vendit.

Për Selami Xhepën, profesor ekonomie në Universitetin Europian të Tiranës, ligji ka krijuar një problematikë serioze në raport me të drejtat e pronësisë, duke ligjëruar shtetëzimin e pronës private për interesa të investitorëve privat.

Kjo praktikë do të rrisë, sipas tij, “kostot e shoqërisë për kompensimin e ish-pronarëve” dhe mund të bëhet shkak për konflikte sociale.

Xhepa i tha BIRN-it se e konsideronte të gabuar ndihmën e investitorëve nëpërmjet këtij ligji, pasi, sipas tij, një ligj i mëparshëm që zbatonte parimet e respektimit të të drejtave të pronës për pronarët, ofronte garanci të mjaftueshme për investitorët në raste konfliktesh që mund të krijoheshin.

Edhe për Zef Preçin, drejtor ekzekutiv i Qëndrës për Kërkime Ekonomike, zbatimi i këtij ligji mund të çojë në konflike sociale, pasi qeveria merr përsipër shpronësimin në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Preçi i tha BIRN-it se çështja e legjitimitetit të shtetëzimit apo shpronësimit të tokës bujqësore me vendime qeverie – ndërsa ligji 7501 “Për tokën” ështe ende në fuqi, përbën një ndër çështjet më të mprehta që meriton të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas tij konfliktet sociale të lindura për këtë shkak nuk do të gjejnë zgjidhje dhe kostoja do i kalojë si barrë shtetit.

‘Viktima’,  ashtu si në rastin Beckett-i, tha ai, ‘mbetet buxheti i qytetarëve të varfër shqiptarë për shkak të papërgjegjshmërisë së qeverisë dhe të interesave të ngushta e korruptive të elites politike drejtuese të vendit’.

Të njëjtin qëndrim ndan dhe Xhepa, i cili thotë se “konfliktet e krijuara mbi pronësinë gjatë zbatimit të këtij ligji, mund të prodhojnë fatura financiare nga gjykatat, të cilat do të jenë një barrë e rëndë mbi buxhetin e shtetit”.

Ligj klientelist

Ekspertët e shohin ligjin si problematik edhe në favorizimin e klientelizmit me kompanitë përfituese dhe pa impakt donethënës për ekonominë e vendit – ndryshe nga çfarë pretendohej kur u hartua ligji nga qeveria.

Sipas Xhepës, ligji është përdorur mbi baza klienteliste, “në kushtet e mungesës së plotë të transparencës dhe bërjes publike të përfitimeve të shoqërise prej këtyre projekteve”.

Në veçanti abuzimet, sipas tij,  “kanë qenë evidente në zonat bregdetare, ku ligji është përdorur për të mbështetur projekte ndërtimesh vilash private dhe jo komplekse turistike, siç jemi mësuar të shohim në vendet fqinj, si Mali i Zi, apo në vende si Turqia”.

Lexo më shumë  Osmani kujton 25-vjetorin e Masakrës së Korishës: Mizoritë e kësaj Masakre na sjellin në vëmendje çmimin e lartë të lirisë

Për Zef Preçin që në nisje ligji parashikonte largimin nga nocionet bazë të këtyre investimeve dhe po kthehej në “një instrument legal për lejimin e penetrimit në sektorin publik të parave me origjinë të dyshimtë apo kriminale, si dhe për klientelizëm politik dhe kapjen e shtetit nga oligarkia”.

Sipas tij, ligji është larg qëllimit formal të tij “për interes publik”, me mungesën e kontributeve të drejtpërdrejta në punësim, në tatime-taksa, etj..

“Kjo është aq e vërtetë sa të krijohet përshtypja se disa oligarkë që kanë grumbulluar shuma të mëdha parash, duke përfshirë edhe ato me origjinë informale dhe sidomos ato kriminale, po kërkojnë sfera investimi duke shfrytëzuar lidhjet politike e duke diktuar përparësitë e qeverisë në sektorë të ndryshëm duke përfshirë edhe infrastrukturën e vendit,” tha Preçi.

Në këto kushte, sipas tij, zgjatja e afatit nga ana e mazhorancës është ndikuar nga oferta e madhe nga paratë e aktiviteteve të paligjshme që qarkullojnë në vendin tonë.

“Kjo provohet edhe nga fakti se maxhoranca nuk po flet më për amnistinë e përgjithshme fiskale apo të aseteve, por ka gjetur këto mënyrat e tërthorta në arritjen e të njëjtit qellim,” theksoi Preçi, duke sugjeruar se mjafton të shihet lista e aplikantëve përfitues nga kjo zgjajtje e afatit, për të kuptuar se kush qëndron mbas tyre dhe interesat që ata përfaqësojnë.

Për ekspertin e ekonomisë problem tjetër është dhe mungesa e transparencës, pasi në disa raste kompanitë që përfundojnë investimin nuk janë ato që kanë marrë lejen në fillim të tyre, ndërsa mungojnë  bashkëfinancimet nga bankat tregtare dhe kompanitë e njohura.

“Më shtyn të mendoj se qëllimet kanë qenë të tjera qysh në fillim, por është përdorur vendimmarrja respektive kolegjiale e qeverisë dhe respektivisht e Kuvendit për të maskuar interesat e ngushta e klienteliste të elitës politike drejtuese të vendit dhe të dyshuara gjerësisht për korrupsion dhe për kapjen e shtetit nga oligarkia me ndihmën e saj,” analizon Preçi.

Bazuar mbi problematikat e hasura, Selami Xhepa mendon se, jo vetëm nuk duhej zgjatur afati i zbatimit, “por duhej kërkuar një auditim i plotë dhe i pavarur i pasojave që ka prodhuar ligji, mënyrës si është zbatuar dhe për rastet e abuzuara të kërkonte vënien para përgjegjësisë ligjore të abuzuesve”.

Nga ana tjetër të dy ekspertët pajtohen se ekonomia e vendit nuk ka pasur ndonjë përfitim të matshëm nga këto investime.

Preçi thotë se, edhe pse këto investime mund të rrisin atraksionin turistik për këto zona, përfitimi është shumë i vogël në krahasim me kostot.

“Legjitimiteti i këtyre investimeve rëndon në favor të kostove për ekonominë tonë kombëtare,” shprehet ai, duke i parë investimet si injorim i master-planeve të zhvillimit, mosrespektimin e të drejtës bazë kushtetuese të prones private dhe të drejtësisë sociale, por edhe si investime që vijnë “në formën e ofertës së pakërkuar”.

Sipas tij zbatimi i këtij kuadri ligjor ka krijuar “kushte për një numër biznesmenësh, lobistësh apo oligarkësh, për marrjen nën kontrollin e tyre të sipërfaqeve të shpronësuara”.

Kjo, sipas tij, përveç fitimeve private, nuk ka sjellë përfitime për ekonominë.

Ndërsa sipas Xhepës në asnjë rast nuk ka patur një projekt zhvillimi turistik të shpallur nga qeveria shqiptare si një ofertë për investitorët vendas apo të huaj.

“Kontratat janë dhënë pa asnjë garë, pa transparencë, dhe asnje mekanizëm monitorues i këtyre projekteve nuk është zhvilluar,” përfundoi ai./reporter.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *