Uncategorized

OKB: Gati 70% e të vdekurve nga lufta në Gazë janë gra dhe fëmijë

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka thënë të premten se gati 70 për qind e viktimave që i ka verifikuar në luftën e Gazës, janë gra dhe fëmijë, duke thënë se e dënon shkeljen sistematike të parimeve themelore të ligjit humanitar ndërkombëtar.

Gjetjet e OKB-së mbulojnë shtatë muajt e parë të luftës mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga SHBA dhe BE – në Rripin e Gazës, e cila nisi para më shumë se një viti.

Zyra e OKB-së i verifikoi 8.119 viktima gjatë shtatë muajve të parë të luftës. Por, kjo shifër është jashtëzakonisht e ulët krahasuar me numrin e përgjithshëm të të vrarëve, mbi 43.000, gjatë 13 muajve luftë, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Lexo më shumë  Importet ushqimore arrijnë rekord, bumi turistik në Shqipëri nuk po ndihmon fermerët

Megjithatë, verifikimi i moshës dhe gjinisë së viktimave nga OKB-ja mbështet pohimet e palestinezëve se shumica e të vrarëve në luftë janë gra dhe fëmijë.

Këto gjetje tregojnë “për një shkelje sistematike të parimeve themelore të ligjit humanitar ndërkombëtar”, tha zyra e OKB-së në një komunikatë.

Izraeli nuk i ka komentuar ende gjetjet e raportit 32-faqesh të OKB-së.

Ushtria izraelite – e cila e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj sulmit të 7 tetorit 2023, pasi luftëtarët e Hamasit i vranë rreth 1.200 njerëz në jug të Izraelit dhe i rrëmbyen më shume se 250 të tjerë – thotë se kujdeset që të mos i dëmtojë civilët në Gazë.

Lexo më shumë  Importet ushqimore arrijnë rekord, bumi turistik në Shqipëri nuk po ndihmon fermerët

Për vrasjen e civilëve ajo e fajëson Hamasin, duke e akuzuar atë se i përdor ata si mburojë njerëzore.

Hamasi i ka mohuar akuzat se i përdor civilët dhe infrastrukturën civile, përfshirë spitalet, si mburoja njerëzore.

Viktima më e re vdekja e të cilit u verifikua nga vëzhguesit e OKB-së ishte një djalë njëditësh, ndërsa më e vjetra ishte një grua 97-vjeçare, thuhet në raport.

Në total, 44 për qind e viktimave ishin fëmijë.

YouTube player