O Adriatik Kelmendi, zëdhënës i Vuçiqit dhe bir shpirtëror i epokës së Millosheviqit
Shkruan Lirim Gashi
Fjala “marre” nuk është argument. Është britma e atyre që për vite me radhë kanë jetuar nga propaganda, nga shantazhi dhe nga privilegjet e oligarkisë.
Kur një nxitës mediatik kundër barazisë dhe drejtësisë si ti flet për varfërinë, ndërkohë që pas teje qëndrojnë sponsorë miliarderë, atëherë cinizmi e arrin kulmin.
Ti flet për dinjitetin e qytetarëve, ndërsa studiot ku leh politikisht janë financuar për dekada nga njerëzit që u pasuruan në periudhat më të errëta — kur populli, i shtypur nga ushtria dhe policia serbe, mbijetonte me kafshatën e bukës në gojë dhe me lot në sy, ndërsa të lidhurit me regjimin e Millosheviqit ndërtonin perandori ekonomike mbi monopole, mbi lidhje politike dhe mbi tregti me mallra helmuese serbe, në këmbim të rolit të agjentëve të Shërbimit Sekret Serb.
Ti bërtet “poshtërim”, por poshtërimi më i madh ndodh kur media jote shndërrohet në megafon të interesave financiare.
Poshtërim është kur gazetarët e sojit tënd sillen si zëdhënës të arkave oligarkike.
Poshtërim është kur pikërisht ata që kurrë nuk e ngritën zërin kundër grabitjes së vërtetë, kundër kapjes së shtetit dhe kundër pasurimit të kastës që e mbajti Kosovën peng për dekada — sot japin leksione morali.
Po, Kosova ka probleme të mëdha: ka varfëri, ka ikje të rinisë, ka krizë në shëndetësi dhe arsim.
Por qytetarët nuk janë më aq naivë sa dikur. Ata e dallojnë kritikën e sinqertë nga histeria e porositur. E dallojnë gazetarin nga mercenari mediatik.
Dhe kur historia ta gjykojë këtë kohë, nuk do të pyesë më kush bërtiti më fort në studiot televizive.
Do të pyesë:
Kush e mbrojti interesin publik — dhe kush e shiti moralin për sponsorizime, për reklama dhe për favore politike?
Adriatik Kelmendi, ti je një fenomen aq tipik ballkanik, sa po të të vendosnim në muze, UNESCO do të mund të të shpallte “trashëgimi emocionale të tranzicionit”. Ti nuk je vetëm moderator. Jo. Ti je një përzierje mistike mes sirenës së alarmit, gjykatësit të improvizuar dhe profesorit të nervozizmit publik.
Kur ti shfaqesh në ekran, na krijohet përshtypja se Kosova ndodhet në sekondat e fundit para apokalipsit dhe se vetëm ti ende e mban në duar megafonin e shpëtimit.
Ti flet me një ton sikur sapo ke zbritur nga mali me dhjetë urdhëra mediatike nga Serbia:
“Marre! Poshtërim! Katastrofë!”
Ndërsa publiku rri para televizorit dhe e pyet veten:
“A po fillon një debat politik apo evakuimi i ndonjë lagjeje?”
Historikisht, Ballkani ka prodhuar gjithmonë me sukses dy gjëra: burra që bërtasin nëpër kafene dhe analistë që bërtasin nëpër studiot televizive. Dallimi është se të parët e paguajnë vetë kafen, ndërsa të dytët gjithmonë financohen nga oligarkët shqipfolës, që shesin detergjent mes dy reklamave patriotike.
Filozofikisht, ti dukesh si një dishepull modern i fesë së re ballkanike:
“Në fillim ishte fjala. Pastaj fjala u bë britmë. Dhe britma u bë program televiziv.”
Ti nuk moderon debate. Jo. Ti e trajton panelin si një dirigjent opere që e ka humbur durimin me orkestrën:
“Ti hesht! Ti përgjigju! Mos ma ndërprit logjikën emocionale!”
Në fund emisioni mbaron, por qytetari mbetet me tension 180 me 120 dhe me ndjesinë sikur sapo e ka kaluar ilegalisht kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë.
Sociologjikisht, ky fenomen është shumë domethënës. Në një vend ku njerëzit mezi i paguajnë faturat e energjisë elektrike, studioja televizive është shndërruar në cirkun modern romak. Dikur populli kërkonte bukë dhe drejtësi. Sot i serviren debate me tre analistë, katër britma dhe një sponsor që shet jogurt patriotik.
Etikisht, gazetaria duhet të jetë qen roje i pushtetit. Por në Ballkan, ndonjëherë qeni leh vetëm te porta ku nuk i hedhin eshtra. Prandaj publiku fillon të dyshojë:
“A është ky gazetar vërtet i pavarur — apo vetëm një kamerier ideologjik i oligarkisë?”
Dhe tragjikomedia arrin kulmin kur ata që për vite të tëra heshtën për grabitjet miliardëshe, papritur e zgjojnë ndërgjegjen kombëtare pikërisht atëherë kur preken interesat financiare të sponsorëve të tyre. Atëherë studioja nuk ngjan më me një redaksi lajmesh, por me një mbledhje nervoze aksionarësh.
Në fund, qytetari i lodhur e fik televizorin dhe thotë:
“More Zot, a kemi ende gazetarë që informojnë — apo vetëm aktorë me kravatë që lehin si qentë ?”
Rruga Press

