Nuk nënshkruhet marrëveshje/ Borrell: Palët u pajtuan për planin evropian, por dialogu vazhdon
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksanar Vuçiq zhvilluan takimin e radhës në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Borrelli në konferencë për media ka thënë se në këtë takim fokusi kryesor ka qenë diskutimi i planit të propozuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë se palët janë pajtuar që të mos ketë më diskutime lidhur me planin “franko-gjerman”, duke u shprehur se me këtë propozim synohet menjanimi i krizave.
“Palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre sa i përket zbatimit të saj. Kemi një histori të gjatë të marrëveshjes që nuk është realizuar ende, dhe palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre që ta vazhdojnë zbatimin e saj”, u shpreh ai ndër të tjera.
Borrell bëri të ditur se teksti do të publikohet së shpejti, teksa ka thënë se me këtë plan do të mundësohet lëvizja e lirë, njohja e diplomave dhe sipas tij do të ketë mundësi më të mëdha për zhvillimin ekonomik.
Ai ka thënë se në mes të marsit do të ndodhë edhe një takim i nivelit të lartë, ku sipas tij, do të synohet finalizimi i marrëveshjes Kosovë-Serbi që sonte nuk u nënshkrua.
“Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve nuk është vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por për të gjithë ne”, përfundoi Borrelli.
Rruga Press