Lajme

Nuk ndalen paratë e drogës/ Euro në Shqipëri vazhdon rënien edhe në shtator, pranë thyerjes së kufirit të 92 lekëve

Kursi i këmbimit të Euros po vijon rënien edhe në dhjetëditëshin e parë të muajit shtator. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 92.02 lekë, shumë afër nivelit minimal historik prej 92.01 lekësh të regjistruar më datë 3 shtator.

Që nga fillimi i vitit, kursi i këmbimit Euro-Lek ka rënë me 4.9%, ndërsa krahasuar me një vit më parë Euro është zhvlerësuar me 5.3%.

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, oferta e Euros në treg paraqitet e lartë, çka mund të shpjegohet pjesërisht me zgjatjen e sezonit të pushimeve verore dhe me flukset e larta hyrëse të lidhura me to.

Ndërkohë, hipotizohet se rënia e vazhdueshme e Euros në vitet e fundit po sjell edhe rënie të kërkesës për Euro të lidhur me transaksionet e brendshme ekonomike. Për shembull, në tregun e pasurive të paluajtshme ka nisur të vërehet një zhvendosje e kuotimeve dhe shitjeve drejt Lekut.

Zhvlerësimi i Euros, por edhe interesat më të ulëta të lekut, në vitet e fundit janë shoqëruar edhe me zhvendosje të kreditimit të individëve masivisht drejt Lekut, madje edhe me konvertime të kredive ekzistuese nga Euro në Lekë.

Lexo më shumë  Nis seanca, Kuvendi shqyrton në parim ndryshimin e Ligjit për Specialen

Pjesërisht, një tendencë e tillë po vërehet edhe te depozitat. Të gjithë këta faktorë kanë sjellë rritje të shitjes së Euros dhe kanë shtuar kërkesën për Lekë në tregun valutor.

Banka e Shqipërisë e shpjegon forcimin e Lekut kryesisht me përmirësimin e vazhdueshëm të Bilancit të Pagesave. Statistikat treguan se për tremujorin e parë të vitit deficiti i llogarisë korrente u tkurr në 228 milionë euro, në rënie me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, investimet e huaja direkte arritën vlerën e 404 milionë eurove, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit. Ato u rritën me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas Bankës Qendrore, analiza e kombinuar e të dhënave të tregut valutor dhe atyre të bilancit të pagesave deri në tremujorin e parë rikonfirmoi lidhjen e ngushtë ndërmjet vëllimeve të tregtimit në tregun valutor dhe flukseve të shkëmbimeve të mallrave e shërbimeve me jashtë.

Nga ana tjetër, politika e ndjekur nga qeveria shqiptare në vitet e fundit, me suficite të mëdha buxhetore në pjesën dërrmuese të vitit, besohet se po ushtron një ndikim shtesë në forcimin e Lekut. Për 7-mujorin 2027, buxheti ishte në suficit në vlerën e 50.7 miliardë lekëve, në rritje me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Lexo më shumë  BIRN: Drafti për Kodin e Procedurës Penale vendos regjimin e ‘censurës paraprake’ në media

Banka e Shqipërisë vazhdon të blejë valutë me qëllim frenimin e ritmit të shpejtë të rënies së kursit të Euros, por këtë vit efektshmëria e ndërhyrjeve të saj ka qenë më e ulët.

Shifrat e ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë janë bërë publike vetëm deri në fund të tremujorit të parë, kur u blenë afërsisht 140 milionë euro, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Shifrat e periudhës në vazhdim nuk janë bërë ende publike, por mbështetur në vlerësime të tërthorta analistët e tregut besojnë se blerjet janë rritur më tej krahasuar me të njëjtat periudha të dy viteve të mëparshme. Më herët, në periudhën 2024-2025, Banka Qendrore pati tërhequr më shumë se dy miliardë euro nga tregu, në përpjekjet e saj për ta ngadalësuar forcimin e monedhës vendase./MONITOR

Rruga Press

YouTube player