Nuk mund të shmanget “Ukraina në Ballkan” duke e ledhatuar Rusinë e Ballkanit, Serbinë
Nga Donik Sallova
Kthimi eventual i Serbisë kah Perëndimi do duhej të konsiderohej si një përfitim për popullin serb dhe jo si sakrificë. Madje, pranimi i Serbisë kaq shpejt në shoqërinë e shteteve të liberal-demokracisë duhet të konsiderohet edhe si shpërblim për të, meqë prej tri dekadash është destabilizuesja e Ballkanit. Por, nëse ndarja e Serbisë nga Rusia e Kina konsiderohet si një sakrificë dhe jo një orientim i vullnetshëm i shoqërisë serbe kah vlerat perëndimore, atëherë Perëndimi duhet ta vlerësojë mirë kredibilitetin e këtij partneri. Nëse edhe pavarësisht këtij fakti, Perëndimi do të insistojë që Serbia ta bëjë “sakrificën”, le ta paguajë BE çmimin e kësaj “sakrifice” të Serbisë. Nuk mund t’i kërkojnë Kosovës të paguaj çmim për “orientimin” e Serbisë kah Europa. Nëse e ka kaq të çmuar Serbinë në mesin e vet, me gjithë autokracinë e saj që në themel ka gjenocidin, le ta gjejë BE formën për “dëmshpërblimin” e Serbisë. Nuk mund të shmanget “Ukraina në Ballkan” duke e ledhatuar Rusinë e Ballkanit, Serbinë, sepse sikur Rusia që përkundër bashkëpunimit të gjerë ekonomik me Perëndimin, asnjëherë nuk i përqafoi vlerat perëndimore të demokracisë e lirisë dhe kurrë nuk hoqi dorë nga hegjenonizmi, ashtu edhe Serbia përkundër investimeve të pafundme të bëra nga Europa dhe Amerika, nuk do t’i asimilojë vlerat perendimore. Anti-perendimorizmin e saj Serbia e dëshmon çdo ditë duke refuzuar ta njohë pavarësinë e Kosovës. Kjo do duhej të ishte prova e parë që Perëndimi ia vendosë Serbisë për ta parë nëse ajo është e gatshme të shkëputet nga mentaliteti hegjemonist e pansllavist: njohja e pavarësisë së Kosovës. Nuk mund të europianizohet Serbia duke i dhënë e premtuar asaj territor e hise në kontrollin e shteteve fqinje. Përkundrazi, kështu BE po e ushqen që të rritet Rusinë e Ballkanit.
Rruga Press