KryesoreOpinion/Aktualitet

Nuk mund të pranohemi në BE duke synuar përfitimet dhe dobitë, por duke refuzuar vlerat themelore

Nga Donik Sallova

Në një shoqëri ku shkolla nuk e luan rolin e institucionit kombëtar të formësimit të identitetit kolektiv, edukimit qytetar dhe të masivizimit të një kulture publike që mbështetet mbi disa vlera themelore historike, civilizuese, politike e sociale, atëherë ajo shoqëri është e prirur kah fragmentarizimi deri në vetëshkatërrim.

Moderniteti politik nuk toleron dualizime fundamentale vlerore brenda shtetit. Kahjet fundamentale të një kombi janë unanime, që mbështeten mbi ngjarje historike vendimmarrjesh plebishitare, Revolucione, Luftëra etj. Që prej Rilindjes Kombëtare e deri tek lufta e fundit në Kosovë, populli shqiptar ka luftuar për çlirim, për bashkim dhe për Perëndim.

Nëse sot Perëndimin e shohim vetëm si vend pune dhe jo si ilustrim të progresit human, sidomos në sensin vleror, pra jo vetëm në aspektin e mirëqenies materiale, atëherë projekti ynë politik për integrim në strukturat euro-atlantike do të dështojë me siguri. Nuk do të integrohemi në strukturat euro-atlantike (BE e NATO), duke i parë ato si vende ku synojmë të arratisemi si individë vetëm për përfitime private materiale. Këtë rol boll e kemi bërë në histori.

Lexo më shumë  Bislimi: Ne duhet të jemi gati për luftë

Nëse si shoqëri nuk i asimilojmë si tonat vlerat që i kanë çuar këto vende drejt progresit të gjithanshëm, me Lirinë si kryevlerë dhe shtetin ligjor si garantues të drejtësisë e barazisë, atëherë do të mbetemi përfundimisht në vendnumëro. Integrimi në strukturat euro-atlantike nënkupton para së gjithash që ne i bashkohemi një shoqërie vlerash. Procesi i integrimit europian nënkupton procesin e asimilimt të vlerave europiane rezultati i të cilit do të jetë bashkimi formal me një bashkësi ku ka unanimitet rreth disa fundamenteve politike, sociale e kulturore.

Lexo më shumë  Kryetari i Zveçanit Ilir Peci vendoset në objektin e Komunës

Nuk mund të pretendohet integrimi në një bashkësi të madhe politike, me synimin për të qenë “geto-shtet” brenda saj. Nuk mund të pranohemi në këtë bashkësi duke synuar vetëm përfitimet dhe dobitë, por duke refuzuar vlerat themelore. Integrimi në BE më shumë se proces i jashtëm, është shndërrim i brendshëm që në një moment të caktuar na konkludon thjeshtë si një nga shtetet e mirëfillta europiane, në sensin politik, social, ekonomik, kulturor, e më së shumti në atë vleror. Një shoqëri europiane që thjeshtë bëhet pjesë e bashkësisë së shteteve europiane!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *