Opinion/Aktualitet

Nuk mund të ketë paqe përfundimtare në Ballkan pa u njohur pavarësia e Kosovës edhe nga Serbia

Nga Donik Sallova

– Asnjë dialog me Serbinë nuk ka kuptim nëse përmes tij do t’i vazhdohet iluzioni serbëve të Kosovës se mund të jetojnë në Kosovë duke konsideruar se po jetojnë në Serbi. Atyre u është krijuar ky iluzion nga fakti se në të gjitha negociatat që prej Vienës me Ahtisaarin, e më tutje me negociatat e Brukselit me Ashtonin e Mogherinin, u janë dhënë e garantuar të drejta, por pa e kushtëzuar këtë nënkuptueshëm me njohjen që duhet t’ia bënin shtetit që po ua ipte këto të drejta. Kështu, serbët e shndërruar në super-pakicë, pa e njohur realitetin politik të Kosovës së pavarur, tani duan ta formalizojnë këtë mos-njohje duke kërkuar trajtim dhe status extra ligjor e politik. Kjo kërkesë jodemokratike është rezultat i iluzionit që ka vazhduar të ushqehet prej vitesh jo veç nga Serbia, por edhe nga negociatorë shqiptarë që pranonin kompromise që e mundësonin mos-njohjen e Kosovës nga Serbia pa asnjë konsekuencë në raportet Kosovë-Serbi. Këtu s’po flasim për ndonjë konsekuencë represive, por për masa de-iluzionuese siç është Reciprociteti.

– Kërkesa të tilla si kjo e fundit nga Vuçiqi “që serbët kosovarë të mund qarkullojnë në Kosovë me targa e dokumente të Serbisë, por pa u trajtuar sikur shtetasit serbë që jetojnë në Serbi, pra pa u prekur nga Reciprociteti, por duke mos u trajtuar as si shtetas të Kosovës (qoftë edhe duke ua njohur targat KS), është edhe një “kompromis” tjetër që do të ndihmonte jo në integrimin serbëve në sistemin politik të Republikës së Kosovës (si ideali në dukje edhe i bashkësisë ndërkombëtare), por në forcimin e përpjekjeve të tyre për themelimin e një identiteti të veçantë shtetëror serb brenda Kosovës. Në fillim bashkësia ndërkombëtare e kushtëzoi pavarësinë e Kosovës me gamën e gjërë të të drejtave vetëqeverisëse që duhej t’ua njihnim serbëve me kushtetutë, ndërkaq kjo nuk e prodhoi njohjen e Serbisë, e cila këto të drejta vetëqeverisëse të serbëve i shnëdrroi në instrument luftues ndaj shtetit të Kosovës.

– S’mund të normalizohen raportet e Kosovës me Serbinë pa u shuar iluzioni i serbëve kosovarë se koha e shtetit pushtues serb në Kosovë ka përfunduar një herë e përgjithmonë. Serbëve të Kosovës u është garantuar çdo e drejtë e mundshme përtej çdo konvente mbi minoritetet, nuk iu cenohet asnjë liri siç vajton Vuçiqi, por nëse vazhdohet t’i lejohet Serbisë t’ua kultivojë iluzionin se një ditë do të qeverisen nga Serbia, ata vërtetë do ta ndjejnë veten të “shtypur” nga pamundësia e realizimit të një ideje të tillë hegjemonjste e serbo-madhe. Natyrisht kjo nuk i kontribuon integrimit të tyre.

– Gabimi i pushtetarëve tanë që pranuan dialog me Serbinë për çështje të brendshme shtetërore nuk mund të jetë edhe më tutje natyra e dialogut që duhet ta imagjinojnë negociatorët e Brukselit. Nuk mund të ketë paqe përfundimtare në Ballkan pa u njohur pavarësia e Kosovës edhe nga Serbia, sepse dihet tanimë se Ballkanin e qetë që nga viti 1999 e ka mbajtur fakti se ideja e pavarësisë së Kosovës është e pashmangshme, si pavarësi e plotë nga Serbia, së jashtmi e së brendshmi!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *