“Nuk kthehen më në shtëpi”: Protestuesit kërkojnë dinjitet dhe pjesëmarrje në vendimmarrje
Shkruan Bashkim Rodoni
Nuk kthehen më në shtëpi
Ka një moment kur njerëzit nuk dalin më vetëm për të kundërshtuar një vendim, por sepse nuk pranojnë më vendin ku i kanë vendosur. Kjo po ndodh tani.
Njerëzit në rrugë nuk po kërkojnë favore, nuk po kërkojnë mëshirë, nuk po kërkojnë që dikush t’i përkthejë. Po thonë diçka shumë të thjeshtë: nuk pranojmë më të trajtohemi si popull i dorës së dytë, si masë pa rëndësi, si njerëz që mund të shtyhen, të mashtrohen, të lodhen dhe pastaj të kthehen në shtëpi.
Kjo është arsyeja pse nuk duan të ikin, jo sepse kërkojnë përplasje por sepse më në fund kanë gjetur një vend ku dinjiteti i tyre duket.
Një gjë është shumë e qartë: kur dinjiteti bëhet i dukshëm, është shumë e vështirë ta kthesh prapë në heshtje.
Qytetaria që po tregojnë protestuesit në Tiranë sot është vetë lajmi.
Njerëz të qetë, të vendosur, pa dhunë, por edhe pa dorëzim. Kjo është gjëja që duhet parë me kujdes nga të gjithë: nga qeveria, nga opozita, nga mediat, nga ndërkombëtarët. Sepse këtu nuk po kërkohet një kompromis i vogël politik.
Po kërkohet një e drejtë e plotë: të jetosh në vendin tënd me dinjitetin që vetë Europa dhe Amerika e shkruajnë në kushtetutat e tyre.
Prandaj dhuna nuk i hyn në punë askujt. Sa më shumë shtyhen këta njerëz, aq më e qartë bëhet kërkesa e tyre. Ata nuk po kërkojnë pushtet. Po kërkojnë që politika të mos jetë më punë e mbyllur mes atyre që vendosin dhe atyre që justifikojnë vendimet.
Në lojë është vetë kuptimi i politikës sot. A është politika mënyra si menaxhohet një popull nga lart, apo mënyra si një popull merr pjesë në fatin e vet?
Kjo është pyetja që po del nga rrugët e Tiranës dhe këtë pyetje nuk e fik dot as uji, as frika, as lodhja.
Rruga Press

