KryesoreLajme

“Nova”: Dy ditë pas Banjskës, Serbia ia dha 8.5 milionë euro kompanisë së Radoiçiqit

Dy ditë pas sulmit në Banjskë, shteti i Serbisë ia ka dhënë disa tenderë me vlerë 8.5 milionë euro kompanisë nga Zveçani, “Rad 028”, e cila për shkak të dyshimeve se kontrollohej nga Milan Radoiçiqi është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara, ka raportuar gazeta serbe “Radar Nova”.

Radoiçiqi e ka marrë përgjegjësinë kryesore për organizimin e sulmit paramilitar serb në Banjskë më 24 shtator, ku mbeti i vdekur rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Radoiçiqi është në kërkim nga INTERPOL-i me kërkesë të Kosovës, por vazhdon të endet i lirë në Beograd. Së fundmi, u publikua një fotografi ku ai shihet duke diskutuar me ambasadorin e Serbisë në SHBA, Marko Gjuriq.

Lexo më shumë  “Paguajmë 66 euro për ton”, Ola Xama zbulon kostot shtesë të bashkisë së Tiranës për plehrat

8.5 milionë eurot, sipas “Radar Nova”, i janë dhënë kompanisë “Rad 028” për katër ditë. Tenderët janë dhënë për “programin e shpërndarjes dhe përdorimin e stimujve për zhvillim ekonomik për vitin 2023”.

Siç shkruan “Radar Nova”, Qeveria e Serbisë ka qenë bujare me “sipërmarrësit” në veri të Kosovës. Kompania që dyshohej se ishte nën pronësinë e Radoiçiqit, “Rad 028”, në 10 vjetët e fundit ka fituar më shumë se 100 tenderë, të financuar nga buxheti i Serbisë.

Nga viti 2014 deri më 2018, kjo kompani ka fituar “vetëm” 7.1 milionë euro nga buxheti i Serbisë. Por kur Radoiçiqi u bë nënkryetar i Listës Serbe në vitin 2018, vlera e tenderëve të fituar nga kjo kompani është 14-fishuar në 102.6 milionë euro. Pra, deri në sulmin terrorist në Banjskë, vlera e punëve të kontraktuara ka arritur në gati 120 milionë euro, ka zbuluar “Radar Nova”.

Lexo më shumë  Të pasurit që po ikin nga “qeveria shtypëse” në Serbi po shkojnë drejt Malit të Zi

Që nga janari i këtij viti, nuk ka informacione se kompania nga Zveçani ka marrë ndonjë tender.

Për dallim nga “Rad 028”, kompanitë e themeluara në bashkëpunim mes Radoiçiqit dhe Zheljko Veselinoviqit po vazhdojnë punën pa probleme. E vetmja gjë që ka ndryshuar është struktura e pronësisë. 12 ditë pas konfliktit në Banjskë, Radoiçiqi u largua nga pronësia e kompanive, duke ia lënë vëllezërve Veselinoviq aksionet e plota.

YouTube player