Nomadi dhe injoranca e sedentarit
Shkruan Elvis Hoxha
Pjesa më e madhe e dijeve tona janë shkurtime të gabuara të asaj që kemi mësuar një herë e një kohë, madje më keq, të atyre informacioneve që kemi dëgjuar kalimthi. Kësi gjykimesh, nisur nga dije të shkurtuara, mbajnë emrin e lashtë “opinion”. Më e rënda është kur një opinion është aq i përhapur dhe aq sundues sa është e vështirë të thuash se është opinion i gabuar. Ndonjëherë madje mendon se as nuk ia vlen ta korrigjosh.
Por ja që ndodh që një grup i madh njerëzish deklaron një dije pa reflektuar aspak mbi domethënien e asaj që deklaron. Më e fundit është fushata e dënimit të përdorimit të fjalës “nomad” nga kryeministri i Kosovës. Të gjithë u vërsulën, gazetarë, politikanë dhe madje anëtarë të shoqërisë civile, këta të fundit nga ata që mbrojnë të drejtat e njeriut, pra edhe të popullsive nomade. Të gjithë deklaruan njëzëri se Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, kishte fyer rëndë deputetët e opozitës duke i quajtur nomadë. Këta deklarues nuk dinin diçka. Deklaruesit, të gjithë njëzëri, po deklaronin injorancën e tyre. Termi “nomad” për ta është sharje, ndërsa për shumë mendimtarë perëndimorë është termi i rezistencës ndaj opinionit shtypës dhe sundues që e ndajnë të gjithë pa ia kontrolluar vërtetësinë.
Në thelb, të gjithë ata që e morën termin “nomad” për sharje dëftonin hapur racizmin në gjykimin e tyre. Dija e tyre në lidhje me nomadin tregon se e ka bazën te ndonjë dije gjysmake. Një prej burimeve të kësaj dijeje gjysmake gjendet në regjimet diktatorialë. Diktatura nuk e pëlqen nomadin sepse nuk i bindet disiplinës. Tjetër burim është gjykimi tradicional i komunitetit sedentar që e ka ndërtuar të gjithë të vërtetën e vet mbi ksenofobinë, përbuzjen ndaj të huajit, e sidomos ndaj endacakut. Burimi i tjetër qëndron edhe te vetë e majta e dialektikës historike, pasi kjo e sheh njerëzimin si një tërësi e vendosur mbi progresin e klasës. Nomadi nuk i duhet teorisë së klasës. Burim tjetër është kultura që vjen prej eurocentrizmit që u ndërtua mbi zhdukjen e njerëzimeve alternativë, më i pari nomadi.
Është po ky Perëndim që sot e ka kuptuar se sedentari dhe nomadi janë dy forma gjithnjë të vlefshme të ekzistencës njerëzore. Ndaj dhe në të shumë komuna të Perëndimit europian gjenden terrene të parapërgatitur për nomadët që do të vijnë aty për të kaluar ca kohë.
Kujdes pra! Sidomos kujdes anëtarëve të shoqërisë civile që mbrojnë të drejtat e njeriut si dhe barazinë gjinore dhe të drejtën e gjinisë. Sepse vetë e drejta e gjinisë vjen nga e drejta e njeriut për të qenë nomad mbi terrenin ku sedentarizmi kërkon të ketë vetëm dy gjini. Kujdes sepse tregoni padijen tuaj të thellë në lidhje me të drejtën e njeriut për mos me qenë i klasifikueshëm një herë e mirë.
Po! Kryeministri Albin Kurti përdori termin nomad për deputetët e opozitës që edhe duan të jenë deputetë, por edhe nuk lejojnë të ketë Kuvend. Mendo sikur mjekët të kërkonin të mos ekzistonte as mjekësia e as spitali. Unë do të isha dakort me ta vetëm nëse ata nuk do të kërkonin për vete të drejtën të quheshin mjekë. Unë vetë jam sedentar si natyrë, si sjellje, si origjinë. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka mes nesh njerëz që duan të jenë nomadë. Secili prej nesh kur shkon për turizëm shpreh natyrën e tij të të qenit nomad. Nëse do të isha sedentar i sëmurë, do të kërkoja të zhdukeshin tërë ata që pëlqejnë të jenë nomadë. Pse po e përdor termin “i sëmurë”? Nuk do të isha i sëmurë sepse do të kisha ndonjë fanatizëm, por sepse do të tregoja se po vuaja diqysh faktin që jam sedentar. Si dikush që i bën shumë moral konsumatorit të alkoolit sepse ia do qejfi ta pijë vetë, por nuk ia lejon feja ose shëndeti.
Mua nuk më shqetëson fakti që dikush pëlqen të jetë nomad. Nuk më pëlqen në fakt ai që duke u deklaruar nomad kërkon të përfitojë me marifete sedentare. Dhe anasjelltas. Po marr një shembull që është meraku im. Studentët, të cilët të rinj për nga mosha, duhet të ishin edhe nomadët më të mirë të mendimit, janë përkundrazi dy herë gabimisht sedentarë. Më së pari, në shumicën e tyre ata punojnë, natyrisht për të përballuar koston e jetesës – çka i bën ata sedentarë; s dyti synojnë statistikën e diplomës, çka i bën ata sedentarë përfundimisht. Ata nuk e jetojën e as shijojnë atë pjesë të jetës që përman të papriturën në veprim dhe mendim, në dashuri e në dije. Shumë shpejt mendimi i tyre sedentarizohet. Në një farë mënyre, mund ta gjykonim dikë që mendon se është gjithnjë i ri shumë lehtë për nomad, e dikë që kërkon të plaket shumë shpejt për sedentar.
U mbetet deputetëve të opozitës ta gjejnë nëse i kemi vendosur aty sepse janë pleq të urtë për nga mendimi, apo nomadë që nuk duan të lidhen me një vend për shkak të hoveve të tyre rinorë të përjetshëm. Veçse do të jetë mirë mos ta marrin për fyerje termin nomad, sepse kështu zbulojnë racizmin e tyre. Dhe racizmi nuk i shkon urtësisë.
Kësaj here më falni që i rashë shkurt, por kam punë të tjera.
Rruga Press