Lajme

Njohja e Kosovës, në dorën e Zelenskit/ Deputeti ukrainas: Presidenti ka shumicën në parlament

Deputeti ukrainas i cili i ka paraqitur parlamentit rezolutën për njohjen e Kosovës shprehet se çështja e Prishtinës do të varet vetëm nga presidenti Zelenski i cili ka shumicën në Kuvendin e Ukrainës.

Mbrojtësi i çështjes së Kosovës në Kiev, deputeti Alekej Gonçarenko ka thënë se për njohjen e Prishtinës zyrtare nga Kievi do të vendosë presidenti Volodimir Zelenski.

Sipas deputetit, rezoluta për njohjen e Kosovës, e cila pritet të paraqitet në Parlamentin ukrainas nga Gonçarenko, do të miratohet nga partia e kreut të shtetit i cili ka maxhorancën në Kuvend.

“Më e rëndësishmja është që presidenti ka shumicën në parlament. Në diskutime private, sepse Kuvendi nuk është mbledhur që kur kam dorëzuar këtë rezolutë, kështu që në diskutime private shumë deputetë e mbështesin këtë rezolutë.

Unë nuk kam kontaktuar presidentin Zelenski. Propozimi është dorëzuar në Kuvend dhe tani duhet të diskutohet dhe kjo është situata. Shpresoj që ata të marrin një qëndrim dhe të mbështesin propozimin tim,” tha ai.

Lexo më shumë  “The Guardian”: Dështimi i marrveshjes Meloni-Rama

Sipas ligjvënësit, ende nuk është e sigurt nëse deputetët ukrainas do të votojnë për njohjen e Kosovës.

Por megjithatë ai beson se Kievi, si një shtet demokratik duhet të pozicionohet qartë ndaj Serbisë, e cila mund të rreshtohet krah shteteve që mund të njohin republikat e vetëshpallura.

“Qëndrimi im është i qartë dhe vendosa ta zyrtarizoj, t’i jap një shans qeverisë ukrainase që më në fund të marrë një pozicion.

Është punë e qeverisë dhe unë nuk mund të komentoj se çfarë do të bëjnë ata. Disa janë të shqetësuar për qëndrimin e Serbisë, se pas njohjes së Kosovës, Serbia do të njohë Donetskun dhe Luganskun,” tha ai.

Lexo më shumë  Ukraina godet një depo nafte ruse në perëndim të Rusisë

Deputeti ukrainas reagoi ashpër ndaj Beogradit i cili shkaktoi tensionet në veri të Kosovës duke bllokuar rrugët, çka shkaktoi frikën e një konflikti të mundshëm.

Gonçarenko u shpreh se Ukraina do të duhet të ndihmonte Kosovën ushtarakisht, nëse Serbia vendos të sulmojë Kosovën.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *