Njihuni me rolin e hormoneve në trupin e njeriut
Ne shpesh jemi kushtëzuar me mendimin se hormonet janë nënprodukt i periudhës së pubertetit, që ndikojnë në ndryshimin zërit dhe shfaqjen e puçrrave.
Gjithashtu edhe që ato kanë rol në shfaqjen e simptomave të menopauzës, pas moshës së mesme.
Kjo është e vërtetë dhe përfaqëson atë që mund të ndodhë me ndryshimin e niveleve të hormoneve, por hormonet janë shumë më tepër se kaq.
Trupi i njeriut (ose specifikisht, sistemi endokrin) sekreton dhe qarkullon rreth 50 hormone të ndryshme që janë përgjegjëse për funksione të ndryshme trupore, që nga rregullimi i metabolizmit deri tek aktivizimi i instinktit tonë të mbijetesës me anë të hormonit të stresit, kortizoli.
Por çfarë janë në të vërtetë hormonet?
Ato përshkruhen më së miri si lajmëtarë kimikë, të sekretuar nga gjëndrat e sistemit endokrin, të cilat udhëtojnë përmes qarkullimit të gjakut në organe dhe inde të ndryshme në trup.
Hormonet më pas u tregojnë këtyre organeve dhe indeve se çfarë të bëjnë ose si të funksionojnë.
Sistemi endokrin (i përbërë nga gjëndrat që sekretojnë hormonet) kontrollon nivelin e hormoneve në trupin tuaj si estrogjeni, testosteroni, insulina dhe adrenalina.
Të gjithë, ashtu si një orkestër, duhet të punojnë në harmoni e nëse një prej tyre është jashtë ekuilibrit, atëherë kjo mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore.
Çekuilibri hormonal shkaktohet nga shumë faktorë të ndryshëm, siç janë: ekspozimi ndaj ndotjes dhe kimikateve, stresi kronik, problemet e tretjes, një regjim ushqimor jo i shëndetshëm, mungesa e gjumit, mbipesha dhe faktorë të tjerë gjenetikë.
Këto çekuilibra shpesh përfaqësohen nga një grup simptomash të zakonshme si; shtim në peshë, infertilitet, epsh të ulët, rrallim i flokëve, probleme me tretjen, depresion, ankth, ndryshime humori, probleme të lëkurës (puçrra), pagjumësi dhe lodhje . Kjo do të thotë se ato mund të kenë një ndikim të madh në shëndetin dhe mirëqenien tonë të përgjithshme.
Shpesh luhatjet hormonale neglizhohen nga mjekët, por ndonjëherë ky çekuilibrim mund të jetë shkaku kryesor i shqetësimeve tona shëndetësore.
Rruga Press