Njeriu që do të merrte guximin para dy javësh ta thoshte se ligji për “gjykatën speciale” synon vetëm manipulimin e masave do të përballej me një fushatë brutale linçimi
Nga Enver Robelli
Imagjinoni sikur para dy javësh të dilte ndonjë gazetar i pavarur, ndonjë përfaqësues i denjë i shoqërisë civile apo një figurë publike e të thoshte hapur: ligji për “gjykatën speciale” nuk do të sjellë bash asgjë, është shkruar dobët, synon vetëm manipulimin e masave, (keq)përdoret për efekte elektorale dhe rrezikon të mbetet në sirtar e të pluhuroset.
Njeriu që do të merrte guximin ta thoshte këtë kaq hapur do të përballej me një fushatë brutale linçimi. Do të njollosej e etiketohej, do të shpallej armik i Kosovës, do të vihej në shënjestër, do të mbështetej për muri nga njësitë digjitale të pushkatimit. Do t’i mallkoheshin familja, farefisi e rrethi, do t’i nxihej jeta. Si në kohët e inkuizicionit, do të kërkoheshin leçitja e tij dhe kamxhikosja publike. Çarshia do të ulërinte e do të thoshte se armiku i popullit e ka hak trekëmbëshin. I damkosuri do të stigmatizohej si “shërbëtor i Serbisë” dhe do të mbulohej me sharje të tjera nga arsenali i nëntokës politike dhe paramediale.
Dy javë më vonë, komisionerja e BE-së për Zgjerim thotë se ligji i miratuar në Kuvend me shpejtësi marramendëse është i “papranueshëm”. Më parë, një zëdhënës i BE-së tha se ligji bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës. Më 7 tetor, një ditë pasi ligji kaloi në Kuvend, BE-ja shprehu “shqetësim të thellë” për miratimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara, të cilat, sipas BE-se, bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.
Përveç ndonjë pëshpërime, çarshia politike e Prishtinës tani është e heshtur. Është e njëjta kasaba që para dy javësh ishte e zhurmshme, agresive e kërcënuese, vringëllonte thika e shpata dhe kërkonte t’i nxirreshin sytë çdokujt që e prishte “unitetin kombëtar”.
Para dy javësh, mendimi racional nuk kishte vend, madje as kur thuhej me kujdes e mes rreshtash.
Megafoni kishte hapësirë të pakufishme.
Nuk kishte vend për kritikën e bazuar në fakte.
Sepse nuk lejohej debati. Ose synohej pamundësimi i debatit.
Nuk kishte hapësirë për diskurs publik përballë zhganit që e shihte veten të licencuar përjetësisht me vulën e patriotizmit.
Tani që rrebeshi dhe rrapëllimat morën fund, si më tutje? A duhet nxjerrë ndonjë mësim nga kjo përvojë e keqe?
Sfidat janë ende të pranishme. Problemet kanë mbetur të pazgjidhura. Strategjia nuk shihet në horizont. Kështu bën vaki kur motivet e disave nuk përputhen me hallet e vërteta të të tjerëve.
Rruga Press

