Bota

“Njerëzit po e shpien Tokën drejt pikës së kthesës”

Studimi global ka treguar se 74 për qind e qytetarëve, kryesisht në vendet e G20-s, duan që kriza klimatike dhe mbrojtja e natyrës të vihen para vendeve të punës dhe përfitimeve ekonomike

Tri të katërtat e njerëzve në vendet me të kamura të botës besojnë se njerëzimi është duke e shpënë planit drejt një pike të rrezikshme kthese dhe po e mbështesin zhvendosjen e prioriteteve larg përfitimit ekonomik, ka treguar një studim global.

Studimi i Ipsos Morit për Aleancën e Përbashkët Globale (GCA) ka gjetur gjithashtu se shumica e njerëzve (mbi 58 për qind) janë së tepërmi apo jashtëzakonisht të brengosur për gjendjen e planetit, ka raportuar të martën e përditshmja britanike “The Guardian”.

Sipas sondazhit, katër nga çdo pesë të anketuar kanë theksuar se janë të gatshëm të ngrihen dhe të bëjnë më tepër për regjenerimin e të përbashkëtave globale.

Autori kryesor i studimit, Owen Gaffney i GCA-së, ka thënë për gazetën britanike se rezultatet e paraqesin mbështetjen e fuqishme globale për veprim urgjent dhe të vendosur në ballafaqimin me krizat klimatike dhe natyrore.

“Bota nuk po ecën somnambul drejt katastrofës. Njerëzit e dinë se jemi duke ndërmarrë rreziqe kolosale, duan që të bëjnë më tepër dhe duan që Qeveritë e tyre të bëjnë më tepër”, ka thënë ai për Guardian. “Gjetjet duhet të shërbejnë si trimërim liderët e G20-s për ecjen drejt zbatimit më të shpejtë të politikave ambicioze për mbrojtjen dhe rigjenerimin e të përbashkëtave tona globale”.

Këto të dhënat mbi opinionin global publik janë nxjerrë gjatë muajve prill dhe maj, para se hemisfera veriore të goditej me vapën rekorde, përmbytjet dhe zjarret, dhe disa muaj para se raporti i Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike të paralajmëronte për ndryshimet e “pashmangshme dhe të pakthyeshme” klimatike si pasojë e aktiviteteve njerëzore.

Lexo më shumë  Moska ndryshon kufijtë në Balltik? Synon ujërat e Lituanisë e Finlandës: Përshkallëzim me NATO

Guardian ka shkruar se mes vendeve anëtare të G20-s, 73 për qind e njerëzve besojnë se aktiviteti njerëzor ka shtyrë botën më afër pikave të kthesës. Vetëdija për këto rreziqe ishte theksueshëm më e lartë në vendet më pak të kamura – Indonezi (86 për qind), Turqi (85 për qind), Brazil (83 për qind), Meksikë (78 për qind) dhe Afrikë Jugore (76 për qind) – se sa në ato më të kamurat – Shtetet e Bashkuara të Amerikës (60 për qind), Japoni (63 për qind), Britani e Madhe (65 për qind) dhe Australi (66 për qind).

“Në përgjithësi, më shumë se gjysma e të anketuarve (59 për qind) besojnë se natyra veçse është dëmtuar së tepërmi për ta vazhduar përballimin e nevojave njerëzore për afat të gjatë”, ka shkruar Guardian.

Njerëzit kanë filluar të ndiejnë se “natyra po kundërpërgjigjet”, ka shkruar ambientalistja keniane, Elizabeth wathuti, në një raport mbi gjendjen.

“Njerëzit në pushtet duket se ndjejnë që është krejtësisht OK që të rrënohen drunjtë e vjetër apo ekosistemet e shkatërruara natyrore për ndërtimin e godinave apo rrugëve, apo që të nxirret nafta, për aq kohë sa më pas mund të mbillen drunj të rinj. Por kjo qasje nuk po funksionon dhe gjetjet e këtij raporti tregojnë se sa shumë njerëz më nuk e mbështesin këtë idiotësi ekonomike”, ka theksuar ajo, raporton Guardian.

Sondazhi mbi të Përbashkëtat Globale është kryer si vazhdimësi e një serie takimesh ndërkombëtare mbi gjendjen e zymtë të sistemeve planetare që mbështesin jetën: samiti për klimë Cop26 në Glasgow, konferenca për biodiversitetin Cop10 në Kunming dhe takimin e nivelit të lartë “Stockholm+50” vitin e ardhshëm për shënimin e 50-vjetorit të konferencës së parë të Kombeve të Bashkuara për mjedisin njerëzor.

Lexo më shumë  SHBA thotë se “ka gjasa” që Rusia ka dislokuar një armë antisatelitore në hapësirë

Më shumë se katër të pestat (83 për qind) e respondentëve nga vendet e G20-s duan që të bëjnë më tepër për të mbrojtur dhe restauruar natyrën, ndërsa mbi dy të tretat e tyre (69 për qind) besojnë se përfitimet e veprimit për mbrojtjen e të përbashkëtave globale peshojnë më rëndë sesa kostoja. Ky qëndrim, sipas gazetës, ishte më mbizotërues në Brazil dhe të paktën më i shpeshtë në Francë (44 për qind).

Në total, 74 për qind e njerëzve pajtohen se vendet duhet që të shkojnë përtej përqendrimit në bruto prodhimin e brendshëm dhe në përfitime, dhe të fokusohen në vend të kësaj në shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve dhe natyrës.

“COVID-19 ka hapur dyert për ndryshim. Në vendet e G20-s, ekziston një dakordim i kudondodhur (75 për qind) se pandemia ka demonstruar se sa shpejt mund të ndryshojnë sjellët. Një proporcion i ngjashëm (71 për qind) ka pranuar se rimëkëmbja nga pandemia ka ofruar një mundësi unike për t’i bërë shoqëritë më elastike”, ka cituar Guardian të dhënat e sondazhit.

Duke folur për gazetën, Bridget Williams, drejtoreshë për studime në Ipsos Mori, ka thënë se është gjithashtu evidente kërkesa e qartë për informata rreth mënyrës se si duhet vepruar në të ardhmen.

“Ky studim qartazi tregon se njerëzit përreth vendeve të G20-s duan që ta kryejnë hisen e tyre të punës në mbrojtjen dhe restaurimin e të përbashkëtave globale gjatë së ardhmes – ekziston një dëshirë e theksueshme si për udhëheqje lokale ashtu edhe atë globale”, ka thënë ajo, raporton Guardian./koha/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *