Një polic dhe një ushtarak pjesë e grupeve kriminale: Ishin vrasës me pagesë
Një polic i burgjeve është përfshirë në një grup kriminal në Durrës, i cili ndihmonte një grup për të kryer vrasje ndaj kundërshtarëve. Policia bëri me dije sot se krahas vëllezërve Beqiraj janë arrestuar edhe 11 persona të tjerë, të cilët gjatë viteve të fundit kanë kryer një mori krimesh të rënda, përfshi vrasjen dhe pengmarrjen.
Krahas tij është arrestuar edhe një ushtarak, i cili ndihmonte grupin në fjalë.
Krahas efektivit të policisë së burgjeve dhe ushtarakut, policia ka zbardhur veprimtarinë e një grupi kriminal me zonën e Durrësit dhe Tiranës, ku ata bënin pjesë, të cilët kryenin vrasje me pagesë. Sipas porosisë, dy vëllezërit kishin marrë porosi për kryerjen e disa vrasjeve me pagesë në Tiranë dhe Durrës, gjë për të cilën u ishin premtuar shuma të ndryshme nga 50 deri në 150 mijë euro.
Ata kishin marrë shuma më të vogla paradhënie për plotësimin e kushteve me qëllim kryerjen e vrasjeve.
Dy “killerat” që merrnin porositë ishin vëllezërit Indrit dhe Gentian Beqiraj, njëri prej të cilëve u mor peng dy netë më parë në autostradën Tiranë-Durrës dhe më pas u la i lirë pas ndërhyrjes së policisë.
Policia bëri me dije se porosia e parë për ta kishte ardhur nga Belgjika, pikërisht nga Kasandër Noga. Mësohet se Noga i kishte porositur vëllezërit përmes një personi në mes që të vrisnin një person të dy nipërit e tij në zonën e “Don Boskos” në Tiranë.
Pasi kanë marrë 6 mijë euro kapar nga ndërmjetësi i Nogës, vëllezërit kanë filluar vëzhgimin e personit në fjalë që frekuentonte një lokal në zonën e “Don Boskos”, por nuk kanë mundur ta vrasin. Për arsye ende të paqarta deri më tani për policinë, pak ditë më pas, më datë 4 janar në këtë zonë u vra Erjon Çela.
Sipas policisë, pas vrasjes së Çelës, dy vëllezërit kanë ndihmuar ekzekutorin që të ikë nga Shqipëria.
Kasandër Noga i kishte porositur vëllezërit Beqiraj edhe për një vrasje tjetër në Durrës, për të cilën kishin marrë një parapagesë prej 3 500 euro. Vrasja e këtij personi ka ndodhur, por ende nuk është zbardhur nga policia se kush janë autorët.
Çfarë tha policia:
Shtetasit Ggentian Beqiraj dhe Indrit Beqiraj, në periudha të ndryshme kohore, janë kontaktuar nga shtetasit K. Z. alias K. S. dhe I. F., për llogari të shtetasit K. N., kundrejt pagesave nga 50 mijë deri 150 mijë euro, për të kryer vrasjen e një shtetasi dhe të nipërve të tij, në qytetin e Tiranës, si dhe për vrasjen e shtetasit A. M., në qytetin e Durrësit.
Për realizimin e kësaj veprimtarie, 2 vëllezërit janë paguar paraprakisht me një shumë prej 6000 eurosh. Fillimisht ata kanë siguruar kushtet e nevojshme për kryerjen e vrasjes, si armë zjarri, automjet, motoçikletë, si dhe kanë marrë me qira një banesë, në afërsi të objektivit.
Në lidhje me objektivin e parë për të cilin ishte marrë porosia, për një shtetas dhe nipërit e tij, ishte planifikuar që vrasja të behej në zonën e Don Boskos, pasi ky shtetas frekuentonte një lokal të caktuar në këtë zonë. Pavarësisht porosisë dhe planifikimit, shtetasit G. B. dhe I. B. nuk kanë kryer veprime aktive në këtë ngjarje.
Vrasja e këtij shtetasi nuk u krye për shkak të ngatërrimit të objektivit dhe për pasojë, më datë 04.01.2022 u vra shtetasi A. Ç. alias E. Ç. dhe u plagosën 4 shtetas të tjerë. Autori i kësaj ngjarjeje dyshohet të jetë shtetasi K. Z., i cili pas ngjarjes është ndihmuar nga dy vëllezërit, për t’u larguar jashtë shtetit.
Në lidhje me planifikimin dhe marrjen e porosisë për vrasjen e shtetasit A. M., nga hetimet e thelluara rezultoi se 2 vëllezërit kishin siguruar kushtet për kryerjen e vrasjes së tij. Dy vëllezërit ishin porositur nga shtetasi K. Z. dhe kjo vrasje ka ndodhur pak kohë më vonë, por ende nuk është zbardhur plotësisht se nga kush është kryer kjo vrasje.
Nga hetimet e thelluara rezulton se prosositësi i dy vrasjeve të mësipërme është shtetasi K. N., i cili aktualisht është i arrestuar në Belgjikë. Ky shtetas ka porositur shtetasin K. Z., i cili ka paguar dy vëllezërit, për krijimin e kushteve për kryerjen e vrasjeve.
Gjithashtu, dy vëllezërit janë kontaktuar dhe porositur edhe nga shtetasi F. B., që kundrejt pagesës të kryenin vrasjen e shtetasve S. Z. dhe I. H. Për këtë veprimtari kriminale, vëllezërit kanë marrë një shumë paraprake prej 3500 eurosh dhe kanë siguruar mjetet për realizimin e kësaj ngarjeje dhe konkretisht 4 kg eksploziv, si dhe një armë zjarri automatik, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë, gjatë datës 3 tetor 2022. /abcnews.al
Rruga Press