Art & Kulturë

Një përkthim i ri në gjuhën shqipe i Immanuel Kantit nga prof. Hysamedin Feraj

Një përkthim i ri në gjuhën shqipe i Immanuel Kantit nga prof. Hysamedin Feraj

Botim i ri: Zenit Art
Titulli: Prolegomena për çdo metafizikë të ardhme
Autor: Immanuel Kant
Përkthyer nga: Hysamedin Feraj
(stenda Zenit, panairi i librit Tiranë, 15 -20 nëntor)

Fragment nga ‘Hyrje’ e autorit:

Këto prolegomena nuk janë me u përdorë prej nxënësve por prej mësuesve të ardhshëm, dhe as këtyre nuk duhet t’u shërbejnë që ta rregullojnë paraqitjen e një shkence që ekziston tashmë, por para së gjithash që atë shkencë ta shpikin vetë.
Ka dijetarë që për ta historia e filozofisë (e vjetra aq sa e reja) është vetë filozofia. Këto prolegomena nuk janë shkruar për ta. U duhet të presin deri kur ta kenë përfunduar punën e vet ata që po mundohen me kriju nga vetë burimet e arsyes, dhe atëherë do t’u vijë radha t’i japin botës lajmin për ngjarjen. Në të kundërt, sipas opinionit të tyre nuk mund të thuhet asgjë e pathënë tashmë; në fakt ky mund të vlejë si parashikim i pagabueshëm për gjithçka të ardhme: meqë intelekti njerëzor për shekuj ka veguar në mënyra të shumta për objekte të panumërt, është e lehtë që për çdo të re të gjendet diçka e vjetër që ka njëfarë ngjasie me të.
Synimi im është me i bindë të gjithë ata që vlerësojnë me u marrë me metafizikë se paraprakisht është e domosdoshme ta pezullojnë punë e tyre, gjithë ç’ka ndodhur deri tani ta shohin sikur nuk ka ndodhur, dhe para së gjithash ta bëjnë pyetjen: “a është ndokund e mundur diçka e tillë si metafizika”.
Nëse është shkencë, pse nuk fiton, ashtu si shkencat e tjera, miratimin universal dhe afatgjatë? Nëse nuk është, si arrin të fryhet me dukjen e shkencës, dhe ta mbajë intelektin njerëzor me një shpresë që as nuk shuhet as nuk përmbushet kurrë? Pra, pavarësisht nëse tregojmë diturinë a paditurinë e tonë, duhet që një herë të provohet diçka e sigurtë për natyrën e kësaj shkence të pretenduar, sepse mbi atë bazë nuk mund të qëndrohet më. Ndërkohë që çdo shkencë tjetër përparon pa pushim, duket gati qesharake se në këtë shkencë që pretendon me qenë vetë urtësia, orakullin e së cilës e pyet çdo njeri, rrotullohemi përherë në vend, pa shkuar asnjë hap më tej. Po ashtu i ka humbur shumë prej ithtarëve të saj, dhe ata që ndjehen mjaft të fortë sa të shkëlqejnë në shkencat e tjera duket se nuk duan që lavdin e vet ta peshojnë në të, ku çdokush, që përndryshe është gdhe për gjithçka tjetër, i lejon vetes një gjykim vendimtar; sepse në këtë fushë nuk ka në fakt ende asnjë masë dhe asnjë peshë për me dallu thellësinë nga llogjet e cekëta.
Por nuk është diçka e padëgjuar që mbas përpunimit të gjatë të një shkence, mbas mrekullimit për sa është arritur në të, në fund dikujt mund t’i bie ndërmend me pyet: a është e mundur ajo shkencë dhe si është e mundur. Sepse arsyeja njerëzore e ka aq qejf ndërtimin sa shpesh e ka ngritur kullën dhe pastaj e ka shembë sërish, për me pa sa mund të ketë qenë ndërtuar mirë themeli i saj. Kurrë nuk është vonë me u bë të arsyeshëm e të urtë; por kur thellësia vjen me vonesë përherë është më e vështirë me e vënë në udhë të mbarë.
Me pyet nëse një shkencë është e mundur ka parakusht dyshimin në realitetin e saj. Por ky dyshim fyen këdo, e gjithë pasuria e të cilit ndoshta mund të qëndrojë në atë stoli të pretenduar; dhe prandaj, ai që mund të bjerë në dyshim duhet të bëhet gati vetëm për kundërshtime, nga të gjitha anët. Disa, në ndërgjegjen krenare për pronën e tyre të lashtë, dhe prandaj të mbajtur për të drejtë, me kompendiumët e tyre metafizikë në dorë do ta shohin nga lart me përbuzje. Të tjerë, të cilët askund nuk shohin diçka tjetër veç asaj që është e njëjtë me çka tashmë e kanë parë diku, nuk do ta kuptojnë; dhe për ca kohë gjithçka do të mbetet si më parë, a thua se nuk ka ndodhur asgjë që lind frikë ose shpresë për ndonjë ndryshim të afërt.
Megjithatë guxoj të parashikoj se lexuesi i këtyre prolegomenave, ai që mendon vetë, jo vetëm do të dyshojë në shkencën e tij të deritashme por mbas kësaj do të jetë krejt i bindur se ajo as nuk mund të ekzistojë pa u përmbushë kërkesat e shprehura këtu, mbi të cilat mbështet mundësia e saj, dhe, meqë kjo nuk ka ndodhur ndonjëherë, do të jetë i bindur se askund nuk ka ende metafizikë. Mirëpo, meqë edhe kërkesa për të nuk mund të humbë asnjëherë, sepse arsyeja universale njerëzore është e ndërthurur së brendshmi me të, atëherë ai do të pranojë se përpara qëndron e pashmangshme një reformë, ose për më shumë një lindje e re e saj, sipas një plani krejt të panjohur deri tani, pavarësisht se për ca kohë dikush mund ta kundërshtojë si të dojë.

Lexo më shumë  “K’cimi i Tropojës” bëhet zyrtarisht pjesë e Trashëgimisë Kulturore të UNESCO-s

Rruga Press

YouTube player