Opinion/Aktualitet

Një marrëveshje pa marrëveshje

Nga Agim Nesho

U mbush 1 vit nga e ashtuquajtura marrëveshje e 4 Shtatorit në Washington D.C. të SHBA-së, një marrëveshje që do të mundësonte zgjidhjen e çështjes së njohjes reciproke midis Kosovës dhe Serbisë. Ajo u përdor si një marrëveshje që do t’i shërbente zgjidhjes me anën e lidhjeve ekonomike dhe investimeve financiare por nuk preku thelbin e çështjes: Njohjen përfundimtare nga Serbia të Kosovës si subjekt i pavarur ndërkombëtar, për të mos prishur qëllimin kryesor të takimit që ishte fitorja e Administratës Trump për një alternativë stabiliteti në Lindjen e Mesme.

Po përse kjo marrëveshje ishte e sforcuar dhe nuk mbeti një akt ndërkombëtar i pranuar nga palët dhe i nderuar nga komuniteti ndërkombëtar?

Së pari, marrëveshja ishte një përpjekje e sforcuar e liderëve ballkanikë, të cilët pasi dështuan me iniciativën për projektin e ndryshimit të kufijve në Ballkan në takimin e Berlinit, u përpoqën me dëshpërim të krijonin një marrëveshje “nderi” me Washingtonin. Iniciativa e takimit ishte më tepër një produkt i lobimit politik të liderëve ballkanik dhe Grenell, që e pa këtë veprim në interes të një suksesi në politikën e jashtme Amerikane. Sipas shtypit kryesor amerikan, iniciativa për një marrëveshje nuk vinte nga institucionet kryesore të shtetit Amerikan për politikën e jashtme (DASH) por një iniciativë e Ambasadorit Grenell që i kërkoi Presidentit Trump pozicionin e negociatorit.

Së dyti, anashkalimi i përfshirjes së BE-së në marrëveshje e detyroi Administratën dhe negociatorin Grenell ta kthente negociatën nga një negociatë politike për statusin përfundimtar të Kosovës në një marrëveshje ekonomike, me përfitim reciprok që do t’i shërbente zgjidhjes. Vetë skenarët e propozuar nga Grenell për bashkëpunim ekonomik përfshinin modelet e paqes në

Lindjen e Mesme që kishte propozuar Administrata Trump ‘paqe për prosperitet’ dhe bashkëpunimin në Shenzhen, një zonë ekonomike e lirë brenda sovranitetit të Kinës. Diskutimi për forma të tilla bashkëpunimi që ishin tejkaluar që me pavarësinë e Kosovës në 2008, e detyruan Presidentin Biden të shprehte shqetësimin në ditën e marrëveshjes “Konsiderojeni Kosovën si një shtet sovran”. Por për negociatorin Grenell nuk kishte rëndësi sovraniteti i Kosovës por suksesi diplomatik i Administratës Trump përpara zgjedhjeve presidenciale. Kjo lëvizje do të prodhonte dhe një përkrahje vote nga komuniteti serbo-amerikan, sidomos në shtetet e lëkundura të Çikagos, Ohajos, etj.

Lexo më shumë  Dialog?! Për çfarë? Për ta rikthyer Serbinë në Kosovë?

Së treti, marrëveshja ishte në kushte të pabarabarta dhe presioni. Grenell u përpoq ta arrinte me një presion ndaj qeverisë së Kosovës të drejtuar nga zoti Kurti, qeveri që u rrëzua për qëndrimet parimore të saj për reciprocitet, që naiviteti dhe intriga politike e përdorën si anti-amerikanizëm. Qeveria e zotit Hoti nuk arriti të negocionte asgjë të barabartë me palën serbe dhe nuk arriti të mbronte pikën kryesore 10, e cila kishte të bënte me njohjen reciproke të dy shteteve sovrane, Kosovës dhe Serbisë. Nga ana tjetër, Vuçiç pas kthimit nga Washingtoni u shpreh fitimtar që kishte hequr pikën 10 të marrëveshjes, dhe kishte përfshirë mini-Shengenin (B92, shtator 2020).

Ky takim që preku konsensusin e Washington për Kosovën, ishte një martesë interesash ku Administrata Trump mori fitoren diplomatike për politikën e saj në Lindjen e Mesme, Ambasadori Grenell vendosjen në marrëveshje të mbrojtjes konsekuente të të drejtave të minoriteteve, dhe Kosovës e drejta që si vend mysliman të njihte Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit në këmbim të njohjes si shtet nga Izraeli. Ideja që marrëveshja e Washingtonit ishte një fitore e madhe se liderët e tyre u ulën të barabartë në Shtëpinë e Bardhë, është një justifikim banal i liderëve kosovarë të cilët duhet ta kishin të qartë që Kosova është njohur si vend sovran nga SHBA, Britania e Madhe, Franca dhe mbi 100 shtete të tjera të globit dekada më parë.

Lexo më shumë  Qeveria e Ramës po i kryen punët e jashtme të Serbisë

Së katërti, Marrëveshja në respektim të marrëdhënieve ndërkombëtare në formë nuk është një marrëveshje midis palëve, por një angazhim i tyre në raport me Washingtonin. Një vit pas marrëveshjes, ajo vazhdon të përmendet si një përpjekje e forcuar por e paarritur për të gjetur një zgjidhje. Washingtoni, si superfuqia demokratike e botës, kërkon të jetë institucional dhe jo mohues (nuk fillon historia me cdo administratë) duke përmendur edhe sot disa pika të rëndësishme të marrëveshjes, si bashkëpunimi për gjetjen e të zhdukurve ose nevoja për të zgjatur moratoriumin për njohje si çështje që i shërbejnë klimës së diskutuar në kuadër të negocimeve të Kosovës me Serbinë me përkrahje të BE-së. Shumë pika të tjera si mini-Shengeni mbeten në kënaqësinë e liderëve ballkanik që kanë mashtruar opinionin publik për përkrahje Amerikane për një iniciativë që sjell në forma të tjera dominimin e Serbisë mbi kombet e tjera në Ballkan.

Kjo ngjarje është dhe duhet të mbetet në vëmendje të kombit Shqiptar, se në çdo rast duhet të luftohet pa kompromis dhe pa kompleks për çështjen kombëtare. Sot jemi me fat të madh që në krye të SHBA-së është Presidenti Biden, i cili është një udhëheqës i madh që ka kontribuar në dënimin e genocidit serb dhe shtetformimin e Republikës së Kosovës. Politikbërja në Kosovë duhet ta shfrytëzojë këtë rast të madh për të gjetur një konsensus në bisedimet Kosovë-Serbi gjatë mandatit të tij. Ndryshe lobistët e Vuçiç& Co. janë të aftë të gjejnë alternativa të reja kundër Kosovës.

Sa për marrëveshjen e 4 shtatorit jam dakord me analistin Daniel Server ‘që nuk ka vlerë as sa letra ku është shkruar”./syri/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *