Opinion/Aktualitet

Një gazetari pa takt, pa parime, pa skrupuj

Nga Bekim Qoku

Dhe unë sot po detyrohem të shkruaj gjëra që do të duhej të ishin të vetëkuptueshme.

A mund të krahasohet Serbia agresore me Kosovën viktimë?

A mund të krahasohet Vuçiqi, ish ministër i Millosheviqit, njeri që mbolli katër luftëra dhe la pas mbi 200 mijë të vrarë, me Albin Kurtin, një socialdemokrat që askujt kurrë nuk i ka bërë keq?

A mund të vihet në të njëjtin rresht ndërhyrja e Vuçiqit përmes Radojçiqit në Kosovë, me aktet terroriste në Banjskë, me një vizitë të ndonjë funksionari të LVV-së në një tubim paqësor e vëllazëror në Maqedoninë e Veriut?

Jo, kurrë nuk do të më shkonte mendja të barazoj Kosovën me Serbinë.

Lexo më shumë  Kur media merr rolin e partisë

As ndërhyrjet e Ramush Haradinajt, Hashim Thaçit apo cilitdo politikani nga Kosova nuk do t’i krahasoja me ato të Serbisë së Vuçiqit, sado që nuk më ka ardhur mirë për mbështetjen në linjë partiake. Kritikë po, por pa kaluar në barazime të tilla banale.

Megjithëse kemi bërë vërejtje për ndërhyrje të shumta që kanë ardhur nga Tirana apo Prishtina zyrtare, ndonjëherë edhe të padrejta, ndonjëherë të hapura, kurrë nuk kemi vënë shenjën e barazimit mes tyre dhe atyre që vijnë nga Beogradi apo Moska.

Vetëm para dy javësh, një universitet privat në Tiranë dekoroi Ali Ahmetin me titullin Doktor Honoris Causa, mu para zgjedhjeve.

S’është hera e parë. Kësisoj ndërhyrjesh ka pasur shumë, dhe gjithmonë në favor të BDI-së dhe Ali Ahmetit.

Lexo më shumë  Kur media merr rolin e partisë

Por prapë, as këtë nuk e krahasoj me atë që bën Serbia. As ndërhyrjet e ambasadorëve të Shqipërisë, që po bëhen gjithnjë e më të hapura në favor të BDI-së, nuk i krahasoj me ato të ambasadorëve të Serbisë apo Rusisë.

Më vjen keq… në fakt më vjen turp që jam i detyruar të shkruaj këto fjalë, në një kohë kur të vërtetat duhej të ishin të qarta për të gjithë.

Më vjen rëndë që më duhet të mbroj të vërtetën nga shtrembërimi, viktimën nga barazimi me agresorin.

Nuk e di në çfarë pike kemi mbërritur që edhe kjo ndjeshmëri njerëzore duhet shpjeguar.

Por ja ku jemi. Dhe po e them me keqardhje se kjo më dhemb më shumë se çdo fyerje.

Rruga Press

YouTube player