Një burrë në Indonezi kap krokodilin mbi 4 metra me një litar
Bashkëfshatarët kanë lavdëruar një burrë indonezian që kapi një krokodil me përmasa 4.3 metra në ishullin Sulaëesi, duke përdorur vetëm një litar.
Usman tha se krokodili kishte qenë duke bredhur në zonë për të paktën dy ditë, duke i frikësuar banorët.
“Po ta kishim lënë, do të kishte ardhur në tokat tona dhe ne nuk do të kishim mundur të shkonim në fushat e orizit”, tha 53-vjeçari. “Këtu ka edhe kanale kullimi rreth rrugëve, vende ku peshkojnë vendasit. Do të kishte qenë e rrezikshme nëse do ishte zvarritur nëpër kanalet kulluese. Më duhej të shfrytëzoja shansin”, tha ai, shkruan CNN-i të martën.
Kapja e krokodilit u lavdërua nga banorët e fshatit Ambau Indah.
“Ajo që ka bërë Usman vlerësohet nga komuniteti. Disa madje e konsiderojnë atë një akt heroik, sepse shpëtoi shumë njerëz që mund të ishin viktima”, tha Umar Siddiq al Farizi.
Në të kaluarën janë raportuar disa sulme të krokodilëve në zonë.
Al Farizi përshëndeti vendimin e Usmanit për të raportuar kapjen tek autoritetet.
“Ai (Usman) mendoi se duhet të mbrohet dhe jo të vritet”, tha Umar.
Krokodili do të lëshohet përsëri në natyrë, tha një zyrtar në Agjencinë lokale të Ruajtjes së Burimeve Natyrore.
Rruga Press