Lajme

Nisin kërcënimet ndaj policëve të rinj serbë në veri, reagon shefi i EULEX-it

Shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano, është shprehur i shqetësuar të martën lidhur me siç ka thënë, raportimet në media se policët e rinj të Kosovës nga komuniteti serb po marrin mesazhe kërcënuese.

Përmes një postimi në Twitter, ai e ka quajtur të papranueshëm çdo lloj kërcënimi apo frikësimi që bëhet.

“Jam shumë i shqetësuar nga raportimet e mediave lidhur me mesazhet kërcënuese kundër policëve të rinj të Kosovës nga komunitetet joshumicë. Çdo lloj frikësimi është i papranueshëm, dhe theksoj rëndësinë që Policia e Kosovës reflekton si dhe ajo përfaqëson tërë popullsinë e Kosovës”, ka shkruar Pietro Barbano.

74 policë të rinj nga komunitetet joshumicë në Kosovë kanë filluar punën në veri të vendit, gjersa prej tyre 45 janë serbë.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani ka thënë se të tjerët janë nga komuniteti rom, ashkali, egjiptas, boshnjak dhe turk.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti kërkon mbështetjen e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE

“74 policë të rinj nga komunitetet kanë ardhur në veri, prej tyre 45 janë nga komuniteti serb. Ndërsa, të tjerët janë nga komuniteti rom, ashkali, egjiptas, boshnjak, turk. Për momentin është faza e trajnimit të tyre të brendshëm, e trajnimi i tyre përfshin patrull, trafik, hetime, etj”, ka deklaruar Elshani per telegrafin.

Me të marrë detyrën e re, përdorues serbë të rrjeteve sociale e nisën një fushatë linçuese ndaj policëve të rinj nga ky komunitet.

Pesë prej tyre iu janë publikuar fotografitë dhe emrat në platformën ruse, Telegram, teksa është paralajmëruar edhe publikimi i fotografive dhe emrave të të tjerëve.

E sipas zëvendësdrejtorit Elshani kjo nuk është hera e parë që janë përballur me raste të tilla.

“Këto linçime nuk janë të reja, nuk është diçka e re që shohim në rrjete sociale. Ne kemi arsye me besua që këto shkrime bëhen më shumë nga jashtë Kosovës. Normalisht që Policia e Kosovës i merr dhe i trajton këto raste, sidoqoftë detyra e policit është me rrezikshmëri të caktuar dhe të pranueshme që nuk shoh se mund të jetë ndonjë problem, por nëse ka, Policia e Kosovës trajton çdo rast”, ka thënë tutje ai.

Lexo më shumë  Ministria Vitia për aparaturën e Mjekësisë Bërthamore: Fjalë e fundit e teknologjisë

Në nëntor të vitit të kaluar, policët nga radhët e komunitetit serb u larguan nga ky institucion. Dorëheqja e tyre e pasoi suspendimin nga detyra të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, shkaku i refuzimit të tij për ta vënë në zbatim vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin në RKS të veturave që posedonin targa me akronime të qyteteve të Kosovës, të lëshuara nga Serbia.

Pas këtyre veprimeve, Policia e Kosovës më 4 janar kishte shpallur konkurs për pranimin e zyrtarëve policorë nga radhët e komunitetit serb, boshnjak, turq, goran, rom, ashkali, egjiptas, kroat, malazez dhe maqedonas.

Rruga Press

YouTube player