Nis tjetërsimi i Galerisë Kombëtare të Arteve?
Galeria Kombëtare e Arteve është hapur zyrtarisht për publikun shqiptar më 11 janar 1954, kurse në të sot ruhen rreth 4000 vepra arti.
Nuk ka informacion se sa ekspozita janë bërë përgjatë gjithë këtyre viteve dhe prej 5 vitesh në faqen e e Galerisë nuk ka të publikuar asnjë kalendar të eventeve, duke kujtuar që prej katër vitesh Galeria numëron vetëm dy ekspozita të reja.
Prej 18 tetorit Galeria Kombëtare e Arteve qëndron e mbyllur përkohësisht. Sipas prezantimit që vetë Ministria e Kulturës ka bërë, thuhet se Galeria është në restaurim dhe në rehabilitim dhe ky projekt do të zgjasë dy vite. / https://kultura.gov.al/wp-content/uploads/2021/03/Signed_VendimNr.542GKAAtelier.pdf
Kryeqyteti do të jetë pa Galeri Kombëtare të Arteve deri në vitin 2023, deri sa të përfundojë projekti që do të kushtojë 1 miliardë e 365 milionë lekë.
Sipas Ministres së Kulturës, e cila e ka prezantuar këtë projekt, synohet që Galeria të zgjerohet por jo të tjetërsohet, duke shtrirë hapësirat e fondit për ruajtjen e veprave të artit, hapësirat për aktivitetet, për zyra, por jo për biblotekën. Në projektin e publikuar në faqen e Ministrisë së Kulturës shohim që hapësira e biblotekës, ndryshe nga të tjerat, do të zvogëlohet.
Kur thuhet në këtë formë nuk ka pse të ketë zëra kundër zgjerimit apo restaurimit të instiucioneve shtetërore (dhe jo shkatërrimit të tyre, siç bënë me Teatrin Kombëtar).
Në postimin në web-faqen e Ministrisë së Kulturës në datën 24/03/2021 / https://kultura.gov.al/en/autoriteti-kontraktor-ministria-e-kultures-do-te-zhvilloje-proceduren-e-konkurrimit-publik-me-objektrestaurimi-rikonstruksioni-dhe-rehabilitimi-i-hapesirave-ne-muzeun-kombetar-te-arteve-te/, asnjë prej dokumenteve nuk jep informacion mbi nisjen e punimeve, nëse është hapur garë për propozime për restaurimin (tashmë punimet kanë nisur),cili është komiteti i cili ka përzgjedhur projektin fitues dhe kush është duke e zbatuar këtë projekt.
E zakonshmja e kësaj ndërhyrjeje është se imazhin e ri të Galerisë e ka projektuar studioja ATELIER 4. Nuk mund të mos bjerë në sy marrëdhënia tepër e mirë e kësaj studioje me pushtetin, sepse është po ajo që projektoi Teatrin e ri “ARTurbina, Teatrin e Operas dhe Baletit, projektin për ndryshimin e qendrave të qyteteve “Rilindja Urbane”, etj.
Stili është i njëjtë, uniformë, si një objekt i instaluar “ready-made”, pa përpjekje për të ruajtur autenticitetin e një godine apo hapësire të caktuar historike. Galeria e re do të duket më tepër si një qendër tregtare ku ekspozohen mallra tregtarë se sa një hapësirë ku shpaloset E BUKURA, duke u lidhur vizualisht më shumë me qendrën tregtare që ndodhet pak metra sipër Galerisë.
Qeveria, Bashkia, në të njëjtë linjë me ATELIER 4 kanë marrë përsipër shndërrimin e vendit në mjedis tregtar, konsumerist, që degradon hapësirën publike kulturore.
© Rruga Press