Nis shembja e banesave/ Policia rrethon zonën te ‘5 Maji’ në Tiranë, ka të shoqëruar
Forca të shumta policie kanë rrethuar mëngjesin e sotëm zonën e ‘5 Majit’ në Tiranë, ku pritet të shemben disa banesa, për të cilat pronarët nuk kanë rënë dakord me Bashkinë e Tiranës.
Mësohet se policia nuk lejon as mediat e pranishme aty që të futen në zonën ku do të bëhen shembjet, ndërsa ka shoqëruar operatorin e ‘Fax News’ që ishte futur brenda kordonit policor për të transmetuar shqetësimin e banorëve.
Policia ka ndërhyrë me forcë edhe brenda banesave, duke nxjerrë prej aty disa qytetarë, përfshirë fëmijë. Ndërkohë që kanë nisur shoqërimet e para në radhët e banorëve, të cilët e kanë kundërshtuar këtë projekt që nga fillimi dhe prej gati tre muajsh kanë zhvilluar protesta pasi sipas tyre nuk kanë arritur një marrëveshje me bashkinë.
Edhe pse shembja e banesave ishte parashikuar që të niste rreth orës 10:00 të mëngjesit të sotëm, puna në terren ka nisur shumë më herët se orari zyrtar.
Ndërhyrja është bërë që në orën 03:00 të mëngjesit, duke fikur fillimisht energjinë elektrike.
Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit të Tiranës vendosi si afat të fundit ditën e sotme për banorët e “5 majit” që të braktisin banesat e tyre, të cilat do të shemben për t’i hapur rrugë projektit të “Unazës së Madhe”. Banorët kanë paditur drejtorin e IMT-të Tiranë dhe kanë premtuar se do t’i mbrojnë shtëpitë e tyre. Ata këmbëngulin se projekti i Unazës së Madhe është ndryshuar dhe nuk është bërë publik.
Qytetarët kanë kërkuar bisedime me qeverinë dhe bashkinë dhe të kompensohen sipas çmimit të tregut për prishjen e banesave të tyre.
Gjatë ditës së sotme është parashikuar shembja e tre banesave, dhe më pas procesi do të vijojë edhe me godina të tjera në ditët në vijim.
Rruga Press