Lajme

Nis gjykimi në mungesë për krime lufte në Kosovë

Të hënën ka nisur gjykimi i parë në mungesë për krime lufte në Kosovë.

Aty po gjykohet i akuzuari Çedomimir Aksiq, e avokat i tij mbrojtës është Zharko Gajiq. Kryetare e trupit gjykues është Violeta Namani-Hajra, e prokurore Habibe Salihi

Sipas aktakuzës, Aksiq është i lindur në Shtime, por që adresë aktuale ka fshatin Naupare të Krushevcit në Serbi.

Ai akuzohet për krime lufte, përfshirë pjesëmarrjen në vrasjen e tetë civilëve shqiptarë gjatë masakrës së Reçakut.“I akuzuari Çedomir Aksiq, më datën 15 janar 1999 në fshatin Reçak, të Komunës së Shtimes, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminalë (tani për tani të paidentifikuar), grup ky i organizuar, i veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor ose të shëndetit, frikësim ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, urdhërim për zhvendosen e popullatës civile ose ndaj individëve të veçante civilë që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt apo luftë…” – thuhet në aktakuzë.

Lexo më shumë  Presidentja Osmani për donacionin në QKUK: Rikthim i dinjitetit për pacientët

Që nga hyrja në fuqi e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, të cilat mundësojnë gjykimin në mungesë, Prokuroria Speciale i ka ngritur gjithsej gjashtë aktakuza ndaj personave të dyshuar për krime lufte.

YouTube player