KryesoreOpinion/Aktualitet

Nga Zvërneci te 100 ditët në shesh: Kur qytetari refuzoi të ishte vetëm votues

Shkruan Lutfi Dervishi

100 ditë

Ai grusht aktivistësh që doli më 31 maj para Drejtorisë së Policisë në Tiranë, për të protestuar ndaj asaj që kishte ndodhur një ditë më parë në Zvërnec, me shumë gjasë nuk e kishte menduar se dita e 100-të do t’i gjente ende në shesh.

Nuk e kishte menduar këtë gjë as qeveria, as media, besoj as futurologët.

Vështirë të parashikohej se 100 ditë më vonë do të kishim një protestë të përditshme, vëmendje ndërkombëtare dhe diasporën nëpër sheshe. Sot shohim Komisionin Europian që flet për projektin, punime të pezulluara, Kapitullin 27 të lidhur me zonat e mbrojtura dhe vetë Kryeministrin duke hapur, brenda Pasqyrës së tij më të fundit, edhe një rubrikë “Flamingo”.

Është e vërtetë se asnjë nga pesë kërkesat e protestës nuk është realizuar. Por kjo nuk do të thotë se protesta nuk ka bilanc.

Lëvizja më e madhe dhe më kohë gjatë pas rënies së komunizmit ka ndryshuar diçka më të vështirë për t’u matur se numri i kërkesave të plotësuara: marrëdhënien e pushtetit me qytetarin dhe vetëdijen e këtij të fundit për forcën që gëzon. (do të ishte e vështirë të mendohej se do të kishim protestat dhe vendimet e këshillave bashkiakë të bashkive që parashikohen të shuhen nga harta, kundër reformës territoriale)

Lexo më shumë  Le Monde: Stararkitektët e vënë në shënjestër nga «revolucioni i flamingove» fshehin kokën si struci

Lëvizja ka krijuar, para se gjithash, një fenomen të paprecedentë: protestën e përditshme. Deri më 30 maj, protestat në Shqipëri përgjithësisht ngjanin me ftesat për dasmë: caktohej data, ora, vendi dhe pas dy-tri orësh secili kthehej në shtëpi.

Flamingot thyen duopolin PS-PD mbi protestën politike dhe dëshmuan se mund të krijosh presion politik edhe pa seli, pa degë, pa deputetë, pa mjete, pa patronazhiste dhe pa makinerinë e një partie.

Po ashtu për herë të parë në këto 35 vite, nga diaspora nuk presim vetëm remitancë ekonomike, por po shohim edhe remitancë politike. Njerëzit nuk dërgojnë vetëm euro në Shqipëri, por sjellin zërin e tyre në Tiranë dhe protestuan në qytetet ku jetojnë.

Por ndoshta ndryshimi më i madh është te zgjimi i shoqërisë, si përgjigje ndaj “pikës që derdhi gotën”, dhe nxjerrjan nxjerrë jashtë loje e “hazer-xhevapë-ve”: “populli foli me votë”, “do ta shohim në kutitë e votimit”.

Narrativa që e redukton qytetarin në votues, duke e trajtuar si dele që voton një herë në katër vjet dhe pastaj lihet të blegërijë i lirë në Facebook dhe kafene, mori një goditje serioze. Qytetari refuzon të presë në heshtje 1400 ditë mes dy palë zgjedhjeve duke përballuar çmimet “europiane” me rrogën “ballkanike”

Pa këto 100 ditë, vështirë se sot do të kishim BESA-n, Praninë Besnike, Pasqyrë Albania dhe, sidomos, takimet e së premtes pasdite në orën 5, ku pushteti del të dëgjojë hallet që vetë ka krijuar gjatë këtyre 13 viteve.

Lexo më shumë  Vajza nga Drenasi i bashkohet Gardës Kombëtare të SHBA-së, Maqedonci: Krenari për Kosovën

Mbi të gjitha kjo protestë e nxorri Shqipërinë në një dritë pozitive në të pesë kontinentet. Pati një valë admirimi për shqiptarin në mediat dhe rrjetet sociale të huaja, u harrua arketipi shqiptarit si tutor, skifter apo trafikant.

Është e vërtetë se Protesta nuk e ka rrëzuar qeverinë, por kredencialet e saj ranë në kuotën më të ulët. PR dhe spin doctoret e saj dështuan me sukses dhe mbi të gjitha “Flamingo” ka ndryshuar mjedisin, ka ndryshuar qytetarin, pritshmëritë e tij dhe, pa dyshim, ka sfiduar bindjen se në këtë vend vendos vetëm një njeri.

A do të mbetet kjo lëvizje një agjenci proteste? A do të prodhojë përfaqësim politik? A do të shndërrohet në diçka tjetër? Apo një ditë do të tretet dhe njerëzit do të largohen nga sheshi?

Sot kjo ka më pak rëndësi se çdo gjë tjetër. Edhe nëse njerëzit largohen nga sheshi, problemet që i nxorën ata në shesh janë aty, faqe të gjithëve dhe, për çdo rast, tani kemi edhe Pasqyrën.

Rruga Press

YouTube player