“Nëse ju dëgjoj që kritikoni Muriqin…”: Sarri u bërtet tifozëve në mbrojtje të shqiptarit
Një episod interesant ka ndodhur mes Maurizio Sarri dhe tifozëve të Lazios të pranishëm në kampin e trajnimit Auronzo di Cadore. Pasi dëgjoi dikë që kritikonte Vedat Muriqin, trajneri i bardhekaltërve iu afrua tribunave ku ata ndodhin, duke i paralajmëruar njerëzit e pranishëm: “Nëse ju dëgjoj të thoni diçka për Muriqin, do të kërkoj të boshatisen tribunat”. Një qëndrim i teknikut në favor të sulmuesit shqiptar që ka marrë pëlqimin e shumë vetave, të cilët menjëherë duartrokitën në shenjë vlerësimi për trajnerin toskan.
Një gjest që përligj ekzaktësisht konstatimin e bërë nga Muriqi në ditën e parë të grumbullimit të bardhekaltërve: “Trajneri flet me të gjithë, nuk kemi pasur biseda private, nuk mendoj se do të ketë ndonjë nevojë, por sidoqoftë do të jem i lumtur nëse do të mund të flas me të në privatësi. Ai është një person i sinqertë ”, vlerësoi Muriqi, që shtoi më pas.
“Shpresoj të jem në gjendje të tregoj Muriqin e vërtetë në këtë kampionat, dua të arrij në fund të sezonit dhe të jem në gjendje të flas për Muriqin e vërtetë”. Me këto fjalë sulmuesi shqiptar i Lazios, Vedat Muriqi, ka lëshuar sfidën nga qendra e grumbullimit të bardhekaltërve në Auronzo. “U bënë dy vjet që nuk kam kryer presezon, vitin e kaluar kisha edhe Covid. Po punojmë mirë, do të ndihem gjithnjë e më mirë dhe do të jem i gatshëm për Lazion”, shpjegoi sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës.
Rruga Press