Nënshkruhet memorandum për përkrahjen strehimoreve të viktimave të dhunës në familje
Nën lehtësimin e OSBE-së, në Gjilan është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit 2024-2026, ndërmjet komunave dhe strehimoreve për mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje, në Gjilan dhe Ferizaj. Marrëveshja parashikon mbështetje financiare për strehimoret e këtyre viktimave.
Në emër të kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka marrë pjesë dhe e ka nënshkruar këtë memorandum nënkryetarja Leonora Morina – Bunjaku, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qarolli, Avokati i popullit, Naim Qelaj, kryetarë e përfaqësues të komunave të Vitisë, Kamenicës, Kaçanikut, Hanit të Elezit, Ferizajt, Shtimes, sikurse edhe përfaqësues të strehimores “Liria” në Gjilan dhe “Shtëpia ime” në Ferizaj.
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Michael Davenport, ka përgëzuar kryetarët e këtyre komunave për gatishmërinë për t’i nënshkruar këto memorandume, duke thënë se fal përkushtimit dhe zotimit të tyre për përkrahje financiare të qëndrueshme për strehimoren për mbrojtjen e grave dhe fëmijëve, strehimorja ka ofruar strehim dhe shërbime për viktimat e mbijetuarat e dhunës në familje dhe fëmijët e tyre.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qarolli, ka shprehur mirënjohjen dhe përgëzimin për kryetarët e komunave për t’i nënshkruar këto memorandume, ndërkaq ka theksuar se kjo ministri në vitin 2023 ka mbështetur dhjetë strehimore në vlerë prej 900 mijë euro, njofton komuna e Gjilanit.
“Kjo nënkupton që për dallim prej viteve paraprake, shuma e subvencionuar dhe ndihma e gjithëmbarshme për strehimoret anë e kënd Kosovës është 150 për qind më e madhe”, tha ai.
Ndërkaq, nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, ka falënderuar misionin e OSBE-së për lehtësimin e procesit të nënshkrimit të këtyre memorandumeve.
“Komuna e Gjilanit ka bërë hapa të mëdhenj sa i përket përkrahjes ndaj grave e në veçanti nënave vetushqyese, të cilave u ka mundësua çerdhen falas, pagesën e qirasë dhe së fundi subvencionimin nga drejtoritë e ndryshme, ku kemi gra ndërmarrëse përfituese të shumë subvencioneve”, ka theksuar Morina Bunjaku.
Rruga Press