KryesoreOpinion/Aktualitet

Në sy të BE-së dhe NATO-s, Mali i Zi po bashkohet me Serbinë

Nga Shaban Murati

Serbia po u bën BE-së dhe NATO-s një sfidë direkte gjeopolitike. Ajo po ua merr hapur Malin e Zi, anëtar i NATO-s dhe shtet kandidat i BE, nëpërmjet aneksimit të tij me projektin aneksionist të “botës serbe”.

Në datën 17 dhjetor 2023 në mbrëmje presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, jo vetëm shpalli fitoren e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të asaj dite, por edhe afishoi për herë të parë zyrtarisht sanksionimin e krijimit të projektit të tij të “botës serbe” të aneksimit të shteteve dhe të territoreve ballkanike, ku banojnë pakica serbe.

Në natën e zhurmëshme të fitores së tij elektorale presidenti Vuçiç dhe kryeministrja Bernabiç kishin marrë në krah të tyre në selinë e shtabit elektoral të partisë së vet jo ministrat e qeverisë, por kryetarin e parlamentit të Malit të Zi, Andrija Mandiç, dhe presidentin e “serpska republikës”, Milorad Dodik.

Në fokusin e triumfalizmit nacionalist, Vuçiç i dha rajonit dhe Europës sihariqin e jetësimit institucional të “botës serbe” të bashkimit nën Beogradin të shteteve ballkanike, ku jetojnë pakica serbe.

Nuk është sekret që ”serpska republika” defacto është pjesë e Serbisë dhe jo rastësisht një javë më vonë, në 24 dhjetor, Dodik deklaroi se nuk e njeh Bosnje-Hercegovinën dhe do të shpallë pavarësinë e entitetit serb.

Por është skandaloze dhe e pandodhur kurrë ndonjëherë më parë në historinë politike të Europës, që kryetari i parlamentit të një shteti të pavarur të shkojë të festojë fitoren elektorale të presidentit të një shteti tjetër mu në shtabin elektoral të atij, sikur janë të dy përfaqësues të dy institucioneve shteterore të një shteti të përbashkët.

Me këtë paraqitje politike dhe zyrtare kryetari i parlamentit të Malit të Zi Mandiç konfirmo se ai e konsideron Malin e Zi pjesë të Serbisë. Treshja Vuçiç- Mandiç-Dodik inaguruan fillimin e realizimit të projektit të Vuçiçit të “botës serbe” për aneksimin e shteteve të tjera ballkanike, ku ka pakica serbe.

Kemi një fazë të re të zhvillimeve negative gjeopolitike në Ballkan. Për ekspertët e vjetër të çeshtjeve ballkanike kjo çfaqje zyrtare e programit aneksionist të “botës serbe” në mes të Begradit në 17 dhjetor 2023 nuk është e papritur. Ajo është zhvillim logjik i dinamikës se politikës aneksionisë serbe, që në përputhje me strategjinë e hegjemonisë serbe ne Ballkan po punon çdo ditë për zbatimin e atij programi.

Serbia dhe Rusia dhe shërbimet e tyre sekrete, bashkë me kishën ortodokse serbe, organizuan në gusht të vitit 2020 inxhinjeringun elektoral, që solli në fuqi në Podgoricë qeverinë filoserbe të Krivokapiçit dhe të Abazoviçit. Pasi parlamenti malazez gushtin e vjeçëm shkarkoi kryeministrin filoserb Abazoviç, aktin tradhëtar të goditjes së identitetit kombëtar e kulturor të Malit të ZI me marrëveshjen kuislinge, që nënshkroi fshehtas me kishën ortodokse serbe, në Mal të Zi u zhvilluan sivjet zgjedhjet e parakohëshme parlamentare, ku fitoi përsëri kampi filoserb i kryesuar tani nga kryeministri Spajiç dhe nga kryetari i parlamentit Mandiç.

Serbia ndjen se i ka ardhur momenti i vet në Mal të Zi. Kryetari i parlamentit Mandiç dhe kryeministri Spajiç kanë të dy shtetësi serbe, gjë e cila është në kundërshtim me Kushtetutën e Malit të Zi. Pra dy shtetas serbë drejtojnë sot Malin e Zi dhe natyrshëm që do ta drejtojnë varkën malazeze drejt Serbisë dhe Rusisë.

Mandiç është kreu i bandës së çetnikëve serbë, bashkëpunëtor i shërbimeve sekrete serbe dhe ruse, i cili mori pjesë personalisht në përpjekjen për grusht shteti në Mal të Zi në tetor 2016, organizuar nga shërbimet sekrete serbe dhe ruse për të ndaluar hyrjen e vendit ne NATO.

Mandiç është dënuar nga gjykata e Malit të Zi me pesë vjet burg për pjesëmarrjen në grushtin e shtetit. Prurja në fuqi e qeverisë serbo-ruse pas gushtit 2020 e shpëtoi atë nga burgu dhe nën presionin e qeverisë së re Gjykata e Apelit ia hoqi dënimin. Për ironi, ai është zgjedhur tani kryetar i parlamentit, madje edhe me kushtin që në vitin 2024 partia e tij serbe të hyjë direkt me pjesëmarrje ministrore në qeverinë e Spajiçit.

Mandiç hapur dhe vazhdimisht ka deklaruar se e konsideron Malin e Zi pjesë të Serbisë dhe mohon pavarësinë dhe identitetin kombëtar të shtetit dhe të popullit malazez dhe të kishës ortodokse malazeze. Në fushatën për zgjedhjet parlamentare të 2023 Mandiç ka deklaruar se nëse partia e tij vjen në fuqi, ai do ta nxjerrë Malin e Zi nga Nato, do të çnjohë Kosovën dhe do ta shpallë dominimin e shtetësisë serbe dhe të gjuhës serbe në Mal të Zi.

Pikërisht për këtë veprimtari të ethëshme antiatlantike, antiperëndimore, proserbo-ruse, presidenti i Rusisë Putin e ka quajtur Mandiçin “një hero real”. Tani “heroi real” i Serbisë dhe i Rusisë në Malin e Zi shkon përtej shpalljes së programit personal dhe të partisë së tij serbe, dhe me uniformën zyrtare të kryetarit të parlamentit sanksionon në Beograd shkrirjen e Malit të Zi me Serbinë.

Lexo më shumë  Bllokohet nisma hungareze për avancimin e integrimit të Serbisë në BE

Kemi një skandal parlamentar, shtetëror dhe antikushtetues, që duhet të kishte ngritur në këmbë institucionet kryesore të shtetit të pavarur të Malit të Zi, që nga presidenti e deri te kryeministri.

Por presidenti Jakov Milatoviç u mjaftua në datën 18 dhjetor me vërejtjen shoqërore se Mandiç nuk duhet të ishte në Beograd në shpalljen e fitores elektorale të partisë qeveritare atje, dhe e minimizoi duke e cilësuar se “është çeshtje e përgjegjësisë së tij profesionale dhe personale”. Në fakt është një apologji e mjerë presidenciale për skandalin e Mandiçit, sepse paraqitjen zyrtare të kryetarit të parlamentit të Malit të Zi në shtabin elektoral të Vuçiçit në Beograd e redukton thjesht “një përgjegjësi personale”.

I habitshëm mosreagimi i BE ndaj këtij akti të fyerjes së pavarësisë së shtetit malazez. Qarqet filoserbe në Mal të Zi e interpretuan këtë qendrim si mbështetje e BE ndaj tyre. Madje në datën 25 dhjetor media malazeze “Vijesti”, që konsiderohet zëdhënëse e forcave proserbe, shprehej e kënaqur nga mbështetja e BE për Mandiçin dhe shkruante se “për BE nuk është problem hyrja e partisë se Mandiçit në qeveri, po është problem vetëm për NATO-n”.

Media e mësipërme malazeze jepte bisedat e saj me një zyrtar të BE, i cili lavdëronte Mandiçin “se nuk votoi në Serbi si shtetas serbe, se nuk mori pjesë në fushatën zgjedhore serbe dhe u çfaq në selinë e partisë fituese të Vuçiçit si qytetar privat”. Nuk mund të gjesh shpjegim më idiot, por kur kërkon të mbrosh të pambrojtëshmen, bëhesh qesharak në diplomaci.

Përtej keqardhjes, që shkakton një qendrim i tillë i disa zyrtarëve të BE, në thelb kemi të shprehur një qendrim të vjetër të disa qarqeve diplomatike proserbe në BE, që përkrahin tezën e një hegjemonie apo kontrolli të Serbisë në terrtoret ish-jugosllave.

Nëse akti i kryetarit të parlamentit të Malit të Zi në 17 dhjetor për konkretizimin e “botës serbe” do të qe i rastit, do te ishte gjysma e së keqes, Por kemi një vijë sjellje dhe program të qëllimshëm panserb, sepse atij akti i parapriu më parë një skandal edhe më i madh politik, diplomatik,  parlamentar, antikushtetues dhe antikombëtar.

Në datën 7 dhjetor 2023 mediat malazezeze “cernogorskiportal. me”, “Antena M.” dhe dhjetra portale e media në Mal të Zi dhe në Bosnje-Hercegovinë njoftuan informacionin sensacional se para disa ditësh në Beograd kryetari i parlamentit të Serbisë, Vladimir Orliç, kryetari i parlamentit të Malit të Zi, Andrija Mandiç, dhe kryetari i parlamentit të “serpska republikës”, Nenad Stevandiç, kanë nënshkruar fshehtas sëbashku “Deklaratën e Unionit të Shteteve Serbe”, si një platformë e bashkimit të Malit të Zi dhe të “serpska republikës me Serbinë, me objektivin e bashkimit nën drejtimin e Beogradit të të gjitha shteteve në  Ballkan, ku jetojnë pakica serbe.

Media e Bosnje-Hercegovinës “cazin.ba” në datën 9 dhjetor arriti të siguronte nga burime brenda parlamentit të Serbisë dhe e publikoi tekstin e Deklaratës së famshme të “Unionit të Shteteve Serbe”, në të cilën përcaktohet programi që do të ndiqet nga tre parlamentet për ta bërë realitet këtë union të shteteve serbe.

Në pikën 1 të Deklaratës thuhet se “Lëvizja për Bashkimin e territoreve serbe” është  një organizatë e themeluar për të arritur qëllimet e kësaj deklarate në territorin e Serbisë, të Malit të Zi dhe të “serpska republikës” si tre entitete shtetërore të banuara kryesisht me popullsi serbe”.

Në nenin 2 të Deklaratës thuhet se “aktivitetet e Lëvizjes udhëhiqen nga synimi që populli serb në territoret ku predominon të fitojë statusin dhe ndikimin e merituar politik dhe historik”. Në nenin 3 thuhet se “qëllimi i Lëvizjes është të vendosë lidhjen dhe integrimin më të fortë të popullit serb në territoret e Serbisë, të Malit të Zi dhe të “serpska republikës” përmes aktiviteteve në fushat politike, sociale, arsimore, kulturore, etj. duke i integruar në një entitet të përbashkët shtetëror”.

Në nenin 4 të Deklaratës dilet hapur me pretendimin e madh se “regjistrimi në Mal të Zi do të tregojë që shumica e njerëzve në Malin e Zi janë serbë, flasin gjuhën serbe dhe i përkasin shpirtërisht kishës ortodokse serbe”. Në pikën 4 jepet detyra që “përfaqësuesit e popullit serb në Malin e Zi kanë detyrimin që të vendosin gjuhën serbe si gjuhë zyrtare në Malin e Zi dhe të punohet për një themel të fortë të kishës ortodokse serbe në vend si institucioni i vetëm legjitim, që mbledh besimtarët ortodoksë në Malin e Zi”.

Pika 6 shprehet se “përfaqësuesit e popullit serb që janë pjesë e qeverisë duhet të punojnë për krijimin e komiteteve dhe trupave të përbashkëta punuese midis Serbisë, Malit të Zi dhe “serpska republikës” në fushën e sigurisë, punëve të jashtëme, kulturës, arsimit, etj. çka do të çonte në integrimin më të madh të këtyre entiteteve shtetërore, duke krijuar themelet për formimin e Unionit të Shteteve Serbe si një Union konfederativ i kombit serb”.

Lexo më shumë  Kryeministri Kurti vendos gurthemelin e nënstacionit policor të policisë kufitare në Izvor të Zveçanit, dy kilometra nga kufiri me Serbinë

Në pikën 7 afishohet forma e shtetit të përbashkët “për legjitimitetin e formimit të Unionit të shteteve serbe si një bashkësi shtetërore  konfederative”.

Kemi një  platformë të detajuar dhe të hapur zyrtare të projektit të “botës serbe” të aneksimit të Malit të Zi dhe të “serpska republikës” nga Serbia. Kemi një akt dhe veprim skandaloz të minimit të Kushtetutës dhe të shtetit të pavarur të Malit të Zi, i cili duhej të kishte ngritur institucionet qeveritare dhe shtetërore, nëse do të ishin vërtetë proatlantike dhe proeuropiane sikurse shtihen.

Por kryeministri shtetas serb Spajiç u mjaftua të deklaronte në 7 dhjetor se ai nuk ka informacion lidhur me nënshkrimin e kësaj deklarate. Natyrisht serbi serbit nuk ia nxjerr sytë dhe Spajiç bën sikur nuk e din se ku po e çon Malin e Zi “Fronti serb” i Mandiçit, të cilin ai e bëri kryetar parlamenti dhe partinë e të cilit do ta fusë në qeveri vitin e ardhëshëm.

Po ndodh një zhvillim shumë negativ gjeopolitik në shtetin tonë fqinjë të Veriut dhe anëtar i NATO-s. Me të drejtë  Jelena Markoviç, nënkryetare e Partisë Liberale, dha alarmin në 4 dhjetor, përpara se Deklarata e Unionit të Shteteve Serbe të botohej nga shtypi, se “kryetari i parlamentit Mandiç ka dhunuar Kushtetutën e Malit të Zi. I bëj thirrje prokurorisë dhe institucioneve të tjera të reagojnë. Nënshkrimi i marrëveshjeve të fshehta dhe shkelja e Kushtetutës përbëjnë faj penal!”.

Një shtet anëtar i NATO-s po vrapon të bashkohet me Serbinë dhe Beogradi po avancon në programin e tij të çbërjes së Malit të Zi. Analisti malazez Miljan Vesoviç në një analizë të tij në “Antena M.” në datën 1.11.2023 zbërthente këtë program të bashkimit me Serbinë:

“Hapi i parë do të jetë  falsifikimi i rezultateve të rregjstrimit të tanishëm të popullsisë me qëllim që të gënjehet se shumica e popullsisë në Malin e Zi janë serbë. Hapi i dytë do të jetë ndryshimi i rendit kushtetues në Malin e Zi që të bëhet një shtet i ndarë në vija etnike si Bosnje-Hercegovina dhe të federalizohet. Pas kësaj do të hiqet shtetësia e Malit të Zi dhe do të bëhet unifikimi me Serbinë”.

Po asistojmë në një ndryshim gjeopolitik shumë të rrezikshëm për shtetin e pavarur të Malt të Zi. Tragjedia është qe ky ndryshim negativ gjeopolitik po ndodh në sy të BE dhe të NATO-s, që as nuk po shqetësohen dhe as nuk po reagojnë.

Është i kuptueshëm qendrimi i disa qarqeve diplomatike filoserbe në BE, që janë pajtuar me rolin hegjemon të Serbisë në Jugosllavinë e ringjallur të quajtur “Ballkan Perëndimor”, si dhe me projektin e Vuçiçit për “botën serbe”. Në fuksion të ketij qendrimi BE po sakrifikon Mali e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën. Në funksion të kësaj po sakrifikon dhe Kosovën, duke i ofruar Serbisë pjesën veriore të Kosovës.

Mirpo është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm qendrimi i NATO-s, që sheh me qetësi se si një shtet anëtar po vrapon të bashkohet me Serbinë dhe me Rusinë. Bashkimi me Serbinë don të thotë qe Serbia dhe Rusia të dalin në detin Adriatik dhe që bregdeti malazez të vihet në dispozicion të flotës së Rusisë. Poblemi është se NATO dhe BE nuk po zgjidhin asgjë dhe po ndodhen që nga viti 2020 gjithmonë para fakteve të kryera serbo-ruse në Malin e Zi.

Ky zhvillim negativ gjeopolitik mund të sjellë pasoja te rënda strategjike, gjeopolitike dhe kombëtare për dy shtetet shqiptare, fqinjë me Malin e Zi. Shqipëria dhe Kosova duhet të alarmohen nga perspektiva e zezë e ridaljes së Serbisë në kufijtë e tyre me Malin e Zi, çka do të ishte ardhje e rreziqeve ekzistenciale për kombin shqiptar.

Shqipëria si anëtare e NATO-s duhet të ishte e para për t’i rënë alarmit brenda NATO-s për zhvillimet errozive gjeopolitike në Mal të Zi. Në vend të realizimit të kësaj detyre shtetërore dhe kombëtare, Tirana zyrtare e ka vënë në gjumë vigjilencën ballkanike të NATO-s me flirtet e saj me presidentin fashist të Serbisë dhe me ditirambet dhe reklamën false për shqiptarin e ndershëm të tredhur Abazoviç, i cili si kryemistër i Malit të Zi e çoi i pari shtetin dhe pavarësinë e Malit të Zi drejt gijotinës së Serbisë dhe të kishës ortodokse serbe.

Rendi gjeopolitik rajonal dhe europian po pëson lëvizje të komplikuara dhe ndryshime negative. Shqipëria,  Kosova, kombi shqiptar duhet të jenë të përgatitur për kohëra më të këqia dhe të përballojnë të papriturat gjeopolitike, që na presin./ Gazeta Dita

Rruga Press

YouTube player