ArgumentKryesore

Në Shqipëri këtë vit emigrantët zgjodhën bulevardin, jo heshtjen

Nga Sonila Meço

Shqipëria ka një stinë të pestë, stina e kthimeve. Nis diku nga fundi i qershorit, kur aeroportet mbushen me përqafime, rrugët me targa të huaja dhe shtëpitë, të heshtura gjatë dimrit, çelin dritaret.

Vera shqiptare, e një kombi emigrantësh, kthen fëmijët tek prindërit, motrat tek vëllezërit, nipërit pushtojnë me uturima gazmore shtëpitë e gjyshërve dhe kafetë e lëna përgjysmë gjatë vitit shijojnë po njëlloj, sikur ndërmjet tyre mos ketë mijëra kilometra.

Shqipëria bëhet më e gjallë, më e ngjeshur, ndonjëherë edhe më nervoze, por bëhet e plotë. Është zëri i një familjeje të madhe që, pasi ka jetuar gjithë vitin e shpërndarë nëpër hartë, për pak kohë bëhet përsëri shtëpi.

Këtë vit, “shtegtarët” tanë, që u kthyen në atdhe dhe e mbajtën frymën në bulevard, u përballën edhe me përcaktimet e ornitologut kryeministër që i grupoi në “flamingo”, ata të bukurit, të butët, ata që protestojnë me shije dhe brenda kufijve të lejuar nga estetika e pushtetit. Dhe në “sorra e korba”, grupi i errët, ana e ligë e turmës, ata që s’kanë as besë e as të drejtë të dëgjohen siç duhet.

Problemi me këtë ndarje arrogante është se…nuk funksionon. Sepse mjafton një shembull i gjallë, jo metaforë, jo figurë retorike, por një njeri prej mishi e kockash për t’ia rrëzuar gjithë skeletin propagandës qesharake.

Lexo më shumë  Zjarri vijon të djegë pyjet në Dardhë të Librazhdit, zjarrfikësit në këmbë luftojnë me lopata

Çdo familje shqiptare e ka një të tillë me siguri. E kam edhe unë. Nipçja im.

Njëzet e tre vjeç. Gjysmë gjerman e gjysmë shqiptar. Kombinim që prodhon njerëz “të rrezikshëm” për çdo pushtet që ka nevojë për qytetarë të përgjumur. Është diplomuar për Të Drejtën Ndërkombëtare Cum Laude në Holandë, atje ku edhe fëmijët e mësojnë herët se nuk ka demokraci kur pushteti krekoset se “kush s’më ka dhënë votë s’ka ç’më thotë”.

Frank erdhi në Shqipëri për pushime. Pushime, domethënë kohë që mund ta kishte shpenzuar në plazhet e Spanjës a në pub-et e Amsterdamit, por jo!

Në vend të tyre ka zgjedhur bulevardin. Çdo ditë. Pa humbur asnjë.

Të mundja do ta pyesja përballë kryeministrin ornitolog: ky djalë është flamingo apo korb?

Nuk merr asnjë lek nga shteti. Nuk ka teserë partie, nuk ka “farë e fis” të pushtetshëm për t’i falur toka a pasuri në Shqipëri.

E do Shqipërinë me atë dashuri të dlirë e të qashtër që e kanë ata/ato që mund ta zgjidhnin të mos e donin fare, sepse pasaporta gjermane u jep gjithë botën. Por ai zgjodhi bulevardin e Tiranës.

Ka studiuar drejtësinë ndërkombëtare jo për ta recituar nëpër rrjete sociale, zyra dhe ese, por për ta jetuar në rrugë, në vendin ku gjyshërit e tij pinin kafe që kur nuk kish “kontratë” tjetër veç frikës.

Lexo më shumë  Klosi kundër shkrirjes me Matin/ Kryetarja socialiste e bashkisë sfidon Ramën: Dëgjesa publike në çdo fshat. Iu shërbej qytetarëve, karrigia e përkohshme

I ri, i arsimuar, me nënë shqiptare, gjerman në pasaportë refuzoi të qëndrojë në “lagunën” që i cakton kryeministri dhe fluturoi drejt e në mes të turmës, pagëzuar prej autokratit si fole sorrash e korbash.

Ja pra që kjo ndarje s’ka të bëjë hiç me atë çfarë njerëzit janë, por me atë çfarë i leverdis pushtetit t’i quajë.

Nipi im dhe me të qindra mijëra si ai, nuk hyjnë hiç në metaforat zoomorfe  të autokratit, por në Kushtetutë, në nenin që thotë se pushteti buron nga populli dhe ushtrohet nëpërmjet përfaqësuesve, jo nëpërmjet klasifikuesve të shpendëve.

Emigrantët këtë verë kanë zgjedhur të vijnë e të qëndrojnë çdo ditë në bulevard. Dhe janë mu bash ata që nuk i fut dot në asnjë metaforë, sepse metafora me shpendë u krijua për të shpjeguar një masë të shumëtrajtshme, jo për t’u përballur me fytyra konkrete, që të shohin në sy dhe presin përgjigje.

Si im nip, e qindra mijra bij e bija emigrantësh derdhur në shesh.

Rruga Press

YouTube player