Lajme

Në Kosovë mirëpritet thirrja britanike për armatosje

Situata në Ukrainë ka ngritur shqetësimin e Britanisë së Madhe për sigurinë në shtetet e rrezikuara nga Rusia.

Kësisoj, sekretarja e Jashtme e Britanisë, Liz Truss, ka bërë thirrje që Ballkani Perëndimor e vendet si Moldavia e Gjeorgjia të armatosen.

“Bota duhet të kishte bërë më shumë për ta penguar pushtimin dhe ne nuk do ta bëjmë më kurrë të njëjtin gabim. Disa argumentojnë se nuk duhet të ofrojmë armë të rënda, nga frika se mos provokojmë diçka më keq. Por, mendimi im është se mosveprimi do të ishte provokimi më i madh. Është një kohë për guxim, jo për kujdes. Dhe ne duhet të sigurojmë që krahas Ukrainës, Ballkani Perëndimor dhe vende si Moldavia dhe Gjeorgjia të kenë qëndrueshmërinë dhe aftësitë për të ruajtur sovranitetin dhe lirinë e tyre”, ka thënë Liz Truss, sekretare e Jashtme e Britanisë së Madhe.

Thirrjen e Britanisë për armatim zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, e konsideron adekuate.

“Për kërcënimet që po i bëhen rajonit nga ndikimi i Rusisë dhe Serbisë thirrja e Britanisë për armatim të Ballkanit Perëndimor është përgjigje adekuate. FSK-ja është duke u pajisur me mjete teknike dhe armatim në bazë të ‘Planit gjithëpërfshirës të tranzicionit të FSK-së’, në bashkëpunim dhe koordinim me aleatët strategjikë dhe partnerët e tjerë, kuptohet duke pasur parasysh të gjitha ndikimet dhe kërcënimet në ambientin e sigurisë në Kosovë, në rajon dhe më gjerë”, tha Syla.

Lexo më shumë  MPJD-ja ia refuzon kërkesën patriarkut Profirie për të vizituar Patriarkanën e Pejës

Armatimin e Kosovës dhe vendeve të rajonit njëzëri e konsiderojnë të domosdoshme pushteti e opozita.

Rashit Qalaj, anëtar i Komisionit për siguri, thotë se vlerësimi i situatës së sigurisë ka bërë që Britania të bëjë një thirrje të tillë.

“Unë mendoj që ofrimi i mundshëm i armatimit për vendet e Ballkanit, posaçërisht po i përmend tri vende, siç janë Mali i Zi, Kosova dhe Maqedonia, do t’i shërbente shumë qetësisë. Është qëndrimi im, mendimi im personal për shkak se në njëfarë mënyre do të bënte një lloj balancimi të fuqisë sa i përket armatimit dhe do të ndikojë shumë në qetësimin e situatës në këtë rajon”, ka thënë ai.

Lexo më shumë  Lansohet platforma dhe këndi “Made in Kosova”, Kurti: Do të tërhiqen investime të huaja

Sipas Anton Qunit nga LDK-ja, fuqizimi ushtarak i shteteve do ndikonte në demotivimin e kundërshtarëve, andaj edhe FSK-ja duhet të ndërmarrë veprimet e nevojshme.

“Nga përvojat në Ukrainë shohim që FSK-ja ende nuk i ka kapacitetet e plota, do të duhej të ketë një vëmendje më të veçantë për ndarjen e prioriteteve, do të thotë edhe me i ngrit kuadrot, edhe me i përgatit ambientet, por edhe të sigurojë pajisjet, mjetet e armatimin e nevojshëm që të mund ta kryejnë misionin”, u shpreh Quni.

Në Vetëvendosje thonë se do të jenë në bashkëpunim me Britaninë, SHBA-në, BE-në e NATO-n, në forcimin e sigurisë dhe të stabilitetit në rajon.

“Në njëfarë forme impenjimi i Mbretërisë së Bashkuar është një sinjal i qartë se duhet të ketë një vëmendje më të shtuar për forcimin e shteteve dhe aleatëve, të cilët e kanë bërë vijën ndarëse sa i përket agresionit rus”, deklaroi deputeti i VV-së, Enver Dugolli.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *