Në këtë vend, shumë herë kemi pa politikanë që janë përkulur për një karrige, për një fotografi, a për një përqafim të rrejshëm nga ndërkombëtarët, por jo Albin Kurti
Shkruan Frashër Oseku, veteran i luftës
Në këtë vend, shumë herë kemi pa politikanë që janë përkulur për një karrige, për një fotografi, a për një përqafim të rrejshëm nga ndërkombëtarët. Kemi parë liderë që kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme, që i kanë shitur interesat e Kosovës për një post apo për një ftesë në ndonjë darkë diplomatike.
Por jo Albin Kurti.
Kur ndërkombëtarët thanë “nuk takohemi me Qeverinë në detyrë” – ai nuk u lut. Nuk u përul. Nuk bëri pazare siç kanë bërë më herët Isa, Ramushi, Hashimi e të tjerë që kanë shitur sovranitetin për pushtet. Ata thanë jo – por u kthyen vetë. Ata thanë “nuk takohemi në zyrë të qeverisë” – prapë u kthyen vetë. Sepse parimi e rrëzon servilizmin, kur qëndrimi është i palëkundur.
Kurti nuk është lider që e luan Kosovën për interesa të klaneve të partisë. Ai nuk ka tendera për militantë, as para nën tavolinë për zyrtarë. Ai nuk ka patronazh, por ka vizion. Dhe kjo i pengon shumë kujt – veçanërisht opozitës që është mësuar me korrupsion dhe shantazh.
Opozita jonë është e mjerë. Nuk ka ide, nuk ka integritet. Ata mezi presin ndonjë deklaratë nga Brukseli që t’i japin fjalë kundër Kurtit, se vetë nuk kanë guxim me u përballë me të drejtën. Po kjo është luftë e vjetër: mes të së vërtetës dhe interesit personal.
Unë e përkrah Albin Kurtin sepse është i vetmi lider që nuk shitet, nuk përkulet dhe nuk lëkundet për interesa personale apo presione ndërkombëtare. Ai është i vetmi që e vendos Republikën mbi pazaret, Kushtetutën mbi kërkesat arbitrare dhe qytetarët mbi klanet.
Kurti është shembulli i një udhëheqësi të pastër, të ndershëm dhe të vendosur, që nuk bën kompromis me vlerat e shtetit. Ai nuk flet për integritet – ai e jeton atë. Nuk thërret për barazi – ai e zbaton atë. Nuk premton drejtësi – ai lufton për të çdo ditë.
Për këtë e përkrah. Sepse jam lodhur nga hipokrizia, nga servilizmi dhe nga korrupsioni që e kanë mbuluar këtë vend me vite. Sepse më në fund kemi një Kryeministër që nuk frikësohet të thotë JO kur duhet, dhe që nuk e shet Kosovën për një karrige më shumë.
Albin Kurti përfaqëson idealin që shumë prej nesh e kemi ëndërruar. Dhe sot, më shumë se kurrë, ai ka nevojë për përkrahje që ta çojmë këtë shtet drejt asaj që e kemi sakrifikuar: drejtësisë, barazisë dhe dinjitetit.
Rruga Press

