KryesoreLajme

Në 28-vjetorin e rënies heroike, Haxhiu nderon Fehmi e Xhevë Lladrovcin: Në jetën e tyre dashuria për njëri-tjetrin dhe dashuria për Kosovën ecën krah për krah

Sot, në 28-vjetorin e rënies heroike të Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Ushtruese e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, bëri homazhe dhe vendosi lule pranë varreve të tyre në Gllanasellë të Drenasit.

Duke kujtuar me pietet veprimtarinë atdhetare të Fehmut e Xhevës, Kryetarja Haxhiu tha se në jetën e tyre, dashuria për njëri-tjetrin dhe dashuria për Kosovën ecën gjithmonë krah për krah, deri në ditën kur të dy ranë për lirinë e saj.

Ajo shtoi se këto dy figura historia e Kosovës i mban pranë njëri-tjetrit, sepse ashtu pranë njëri-tjetrit e bënë gjithë rrugën e tyre çlirimtare.

“Ai inxhinier e ajo profesoreshë e shqipes, e nisën rrugën e çlirimit dekada më parë, atëherë kur kundërshtimi i regjimit jugosllav ndëshkohej me përndjekje, burg e largim nga puna. Fehmi Lladrovci ishte pjesë e organizimit politik të viteve të 80-ta dhe për bindjet e veprimtarinë e tij kaloi vite në burgjet jugosllave. Kur u arrestua në shtator të vitit 1985, ai dhe Xheva sapo kishin nisur jetën e tyre së bashku.

Burgimi i gjatë nuk e ndërpreu as lidhjen mes tyre, as rrugën që kishin zgjedhur. Xheva menjëherë iu bashkua familjes Lladrovci, dhe përkundër faktit se Fehmiu ishte në burg, ajo e vazhdoi vetë veprimtarinë politike në vitet kur çdo lidhje me lëvizjen ilegale ishte rrezik i madh”, theksoi Kryetarja Haxhiu.

Pas lirimit të Fehmiut nga burgu, shtoi ajo, jeta e tyre vazhdoi larg Kosovës, por jo larg çështjes së saj.

Morën pjesë në luftën në Kroaci, vazhduan veprimtarinë politike në Mynih të Gjermanisë dhe u përfshinë në përgatitjet që, me kalimin e viteve, do të çonin në organizimin e luftës çlirimtare në Kosovë.

Lexo më shumë  Kurti në Nju Jork: Nga solidariteti i vitit 1999 te partneriteti ekonomik me Kuvajtin

“Fehmiu do ta thoshte vetë, në një fjali që mbeti ndër më të fuqishmet nga koha e luftës: ‘Ma e shtrenjtë është liria se jeta’. Xheva nuk kishte nevojë ta thoshte.

E gjithë jeta e saj, deri në qëndresën e fundit përkrah tij në Gradinë, dëshmoi të njëjtën bindje. Kjo është arsyeja pse Fehmiu dhe Xheva nuk mund të kujtohen njëri përmes tjetrit. Secili kishte bërë rrugën e vet drejt së njëjtës liri dhe, kur erdhi çasti i fundit, të dy e vunë jetën e tyre në shërbim të saj”, tha Kryetarja e Kuvendit, duke shtuar se Fehmiu u vu në krye të Brigadës 114 dhe mori pjesë në organizimin, stërvitjen dhe drejtimin e njësive të UÇK-së.

Në atë kohë, kur UÇK-ja po rritej me shpejtësi dhe duhej të krijonte struktura, pozicione e disiplinë ushtarake, shtoi Haxhiu, përvoja e tij kishte peshë të veçantë.

“Përvoja që kishte marrë në luftën e Kroacisë i shërbeu në organizimin dhe drejtimin e njësive të UÇK-së në Drenicë. Xheva, ndërkaq, kishte rolin e saj të drejtpërdrejtë në luftë. Ajo mori pjesë në organizim dhe në luftime, dhe gjatë verës së vitit 1998 ishte në vijën e frontit në disa nga betejat e UÇK-së. Prania e saj aty nuk buronte vetëm nga jeta e përbashkët me Fehmiun. Edhe Xheva kishte ardhur në atë rrugë me historinë dhe bindjet e veta”, potencoi Kryetarja Haxhiu, duke rikujtuar se Xheva ishte profesoreshë e gjuhës dhe letërsisë shqipe, e rritur në një familje me traditë atdhetare dhe e përfshirë herët në veprimtarinë politike.

Lexo më shumë  Ushtaraku i FSK-së, Ismail Ahmeti siguron vendin e dytë në Iowa

Prandaj, sipas saj, kur flasim për Fehmiun dhe Xhevën, nuk flasim për një luftëtar dhe bashkëshorten që e ndoqi pas, por flasim për dy veprimtarë që e kishin zgjedhur rrugën e lirisë dhe kishin marrë mbi vete rreziqet e njëpasnjëshme të asaj rruge.

Liria e Kosovës për ta nuk ishte një ideal i largët, nënvizoi Kryetarja Haxhiu, por një kauzë së cilës ia kushtuan vitet, punën, mërgimin, luftën dhe, në fund, edhe jetën.

“Më 22 shtator 1998, forcat serbe nisën një ofensivë të gjerë kundër pozicioneve të UÇK-së në Drenicë. Në Gradinë, në një nga pikat më të rëndësishme të mbrojtjes së Brigadës 114, luftimet u zhvilluan nga afër dhe për orë të tëra. Rrëfimet e bashkëluftëtarëve nga ajo ditë tregojnë se Fehmiu drejtonte luftimet dhe mbante lidhjen me pikat e tjera derisa pozicioni i tyre u godit. Kur ra Fehmiu, Xheva qëndroi në pozicion dhe vazhdoi luftën për çlirim, duke mos pranuar të tërhiqej”, tha Kryetarja e Kuvendit. Ajo shtoi se më 22 shtator 1998, aty ku kishin mbërritur bashkë pas shumë vitesh burgimi, përndjekjeje, mërgimi e përgatitjeje për luftë, aty përfundoi edhe rruga e tyre.
“Sot nderuam, përkrah Fehmiut dhe Xhevës, edhe Fatime Hetemin, Shefqet Zekën, Behxhet e Milaim Karaxhën dhe Hamit Lladrovcin. Emrat e tyre janë pjesë e pandashme e historisë sonë të lavdishme, e luftës dhe e sakrificës mbi të cilat u fitua liria e Kosovës”, theksoi Kryetarja Haxhiu.

YouTube player