Opinion/Aktualitet

Ndryshimet në media/ Pse Juli Krisafi shkel syrin e majtë

Ditët e fundit ndjekësit e TV që transmetojnë 24 orë lajme vunë re “zhdukjen” e spikeres Juli Krisafi që prezantonte emisionin kryesor në Syri TV. Pa pritur dhe pa asnjë shpjegim ajo u zëvendësua nga kolegia e saj Armela Ferko. Por nuk kaloi shumë dhe Krisafi u shfaq në një ekran tjetër, ku prezantohej me një spot, sa provokativ po aq edhe të çuditshëm.

Portreti i spikeres ndahet më dysh, në ekran shkruhet me gërma “syri i djathtë” dhe disa fragmente më pas, në mënyrë domethënëse ajo shkel syrin e majtë.

Mesazhi është i qartë. Ashtu si opozita ka prej kohësh një TV të sajin, tejet kritik me qeverinë dhe që i jep hapsirë politikanëve të saj, po ashtu edhe qeveria duhet të ndërtojë ABC- në si një mjet të vetin të propagandës.

Prej kohësh, megjithëse dominon me dorë të hekurt ekranet kombëtare dhe pjesën dërrmuese të mediave, celula propoganidistike e Edi Ramës kishte planifikuar krijimin e një mediaje alla “Fox New-s” e cila duhet të shërbente si pushkë në duart e qeverisë. Kjo mundësi u gjet pasi biznesmeni Klod Allajbeu vendosi të shesë ABC-në tek milionerët e Kosovës, “Devolli grup”.

Transaksioni i pa deklaruar publikisht që përflitet në shummën rreth 3 milionë euro u duk në fillim normal. Devolli, që ka dhe pronësinë e televizionit më të madh në anën tjetër të kombit, Klan Kosova, i thirri drejtuesit e ABC-së në Prishtinë për të lajmëruar fillimin e një epoke të re, po aq të lavdishme dhe të suksesshme sa historia mediatike që vazhdojnë të kenë në Kosovë.

Lexo më shumë  𝐊𝐮𝐫 𝐦𝐞𝐝𝐢𝐚 𝐟𝐥𝐞𝐭 𝐦𝐞 𝐠𝐣𝐮𝐡𝐞̈𝐧 𝐞 𝐚𝐫𝐦𝐢𝐤𝐮𝐭: 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐚𝐥𝐞𝐚𝐧𝐜𝐞̈ 𝐞 𝐫𝐫𝐞𝐳𝐢𝐤𝐬𝐡𝐦𝐞 𝐩𝐞̈𝐫 𝐊𝐨𝐬𝐨𝐯𝐞̈𝐧

Por, papritmas gjithçka ndryshoi. Në krye të ABC u vendosën njerëz totalisht anonimë mediatikisht, që deri në atë kohë qenë marrë me raklama spitalesh. Dhe papritmas drejtues emisionesh dhe gazetarë filluan të largohen nga puna. Pushuan drejtorin Andi Tela, po ashtu drejtuesin e emisionit politik, “Log”, Endri Xhafo, censuruan dhe më pas hoqën nga programi humorin investigativ të “Piranjat”, e Florian Binajt dhe Arilena Arra, mbyllën emisionin politik “Vetting”, të Luli Prognit dhe larguan së fundmi edhe gazetaren Juli Xhokaxhi.

Pra një tërmet në redaksi vetëm në pak javë. Një pjesë e mirë e atyre që kanë dalë nga dera e ABC-së, apo kanë kapërcyer së fundi pragun e saj dëshmuan, për Lapsi.al, se këto lëvizje janë bërë të gjitha me miratimin e shefit të zyrës së shtypit të Ramës, Endri Fuga, i cili njihet zyrtarisht edhe si kryeredaktori i lajmeve të kësaj TV-je. Deri më tani Fuga ushtronte “ndikim të butë” me rezultate të forta në pothuajse të gjitha redaksitë e lajmeve, por tani bën edhe realisht drejtimin ditor të punës në ABC. 

Lexo më shumë  Kush është me Serbinë?

Ky ndryshim në pronësi u shoqërua edhe me dy risi. Së pari, ekrani i ABC u mbush me publicitet. Së dyti aty u rekrutuan emra të njohur. Sokol Balla mori drejtimin e redaksisë, ndonëse emisionin politik vazhdon ta bëjë në në “Report Tv”, të Carlo Bollinos. Arian Çani startoi këtë të premte me Zonë e Lirë”. Artur Zheji u largua nga mediat e goditura nga Rama, të Focus Grup të Irfan Hysenbelliut, njësoj siç pati bërë me Orën e Ylli Ndroqit, për të lidhur konratë me ABC. 

Së fundi, këtë bëri edhe Juli Krisafi duke shkelur syrin e majtë dhe duke dëshmuar një lehtësi marramendëse, se si dikush mund të bëjë pa kokçarje, brenda një muaji edhe atoporlantin e opozitës edhe atë të qeverisë. Publiciteti i sapo shfaqur, të cilit ajo i vuri fytyrën, nuk paralajmëron vetëm se tani do kemi një ekran kamikaz të qeverisë, por mbi të gjitha, se ky batak mediatik, po i shndërron edhe gazetarët në papagallë që përsërisin me besnikëri mesazhet e atij që i paguan, sado kundërthënëse të jenë ato.

Prandaj Juli Krisafi që deri tani na e luante nga e djathta, na shkel pa gajle syrin e majtë. /lapsi.al/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *