BotaKryesore

Ndryshim në OKB, vetot do të diskutohen nga të gjitha shtetet

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka ndërmarrë hapin e parë të martën për t’u kërkuar llogari pesë anëtareve të përhershme të Këshillit të Sigurisë kurdo që e përdorin të drejtën e vetos. Lëvizja është bërë në kohën kur Rusia kërcënon me paralizimin e çfarëdo aksioni të trupit më të fuqishëm të Kombeve të Bashkuara për luftën e Ukrainës.

Rezoluta e miratuar me konsensus në asamblenë me 193 anëtarë nuk e eliminon ose kufizon të drejtën e vetos së anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Rusisë, Kinës, Britanisë dhe Francës.

Megjithatë, për herën e parë, Asamblesë së Përgjithshme do t’i kërkohet “të mbajë debat për situatën” nëse përdoret vetoja në Këshillin e Sigurimit. Përparësi në listën e folësve do t’i jepet anëtarit të përhershëm që përdor veton.

Asamblesë nuk i kërkohet të marrë apo konsiderojë ndonjë veprim, por diskutimi do të jetë me qëllimin që t’i kërkohet llogari përdoruesit të vetos dhe të dëgjohen edhe shtetet tjera.

Lexo më shumë  Cameron: Britania do ta ndihmojë Ukrainën sa të jetë e nevojshme

Ambasadori i Lihtenshajnit në Kombet e Bashkuara, Christian Wenaweser, që sponsorizoi rezolutën, e cila ka qenë duke u përpunuar qe dy vjet, ka thënë se rezoluta synon “ta promovojë zërin e të gjithëve që s’kanë të drejtën e vetos dhe që s’janë në Këshillin e Sigurimit, për çështjet e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, sepse i prekin të gjithëve”.

Në prezantimin e rezolutës, Wenaweser aludoi për pushtimin rus të Ukrainës më 24 shkurt dhe dështimin e Këshillit të Sigurisë që të marrë veprime.

Sekretarja e përgjithshme e “Amnesty International”, Agnes Callamard, e ka quajtur rezolutën “hap të parë drejt rritjes së kostos së përdorimit të vetos”.

Rezoluta kishte 80 bashkësponsorizues, përfshirë SHBA-në dhe Britaninë e Madhe. Por pati edhe kundërshtarë, që megjithatë s’e thyen konsensusin, përfshirë Rusinë, Bjellorusinë, Gabonin e Indinë.

Lexo më shumë  Dërgohet në OKB propozimi final për rezolutën për Srebrenicën

Reforma e Këshillit të Sigurisë, që është e ngarkuar në bazë të Kartës të OKB-së për garantimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, është debatuar për më shumë se 40 vjet dhe ka qenë në qendër të komenteve nga vendet, para dhe pas miratimit të rezolutës. Ka rritje të përkrahjes për riformatim të Këshillit, për të reflektuar gjendjen reale aktuale në botë dhe jo vetëm strukturën e fuqisë ndërkombëtare të pas-Luftës së Dytë Botërore më 1945, kur u krijua Organizata e Kombeve të Bashkuara. Por në vazhdimësi shtetet dhe rajone rivale kanë bllokuar iniciativat e palës tjetër për të arritur pajtim për riformatim.

Fuqia e vetos së pesë anëtareve të përhershme është një komponentë e reformës.

Më shumë se 200 propozime të Këshillit të Sigurisë janë përballur me veto.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *