Bota

Ndryshim historik/ Papa Françesku u jep grave të drejtën e votës në mbledhjen e peshkopëve

Papa Françesku do t’u mundësojë grave të votojnë, për herë të parë, në një takim global të peshkopëve në tetor, u njoftua të mërkurën, më 26 prill.

Agjencia France-Presse (AFP) vlerëson se kjo është një lëvizje historike që mund të çojë në një përfshirje më të madhe në vendimmarrje në Kishën Katolike Romake.

Në të kaluarën, gratë lejoheshin të merrnin pjesë në sinode, organe këshilluese të papës, si auditore, por pa të drejtë vote.

Rregullat revolucionare, të publikuara të mërkurën, lejojnë pesë motra fetare me të drejtë vote.

Përveç kësaj, Papa vendosi të përfshijë atë që dokumenti i Vatikanit e quan “70 anëtarët jo-peshkopalë që përfaqësojnë grupet e ndryshme të besimtarëve të popullit të Zotit”.

Papa do të zgjedhë 70 priftërinj, motra të rendeve, dhjakë dhe laikë katolikë nga një listë prej 140 personash të rekomanduar nga konferencat kombëtare të peshkopëve. Konferencat inkurajohen të përfshijnë të rinjtë. Vatikani kërkoi që 50 për qind e 70 klerikëve, të jenë gra.

Në sinode zakonisht marrin pjesë nga rreth 300 njerëz, kështu që shumica e atyre me të drejtë vote do të jenë edhe më tej peshkopë. Megjithatë, ndryshimi është i jashtëzakonshëm për një institucion që ka qenë i dominuar nga burrat me shekuj, shkruan AFP.

Lexo më shumë  Komisioni Evropian rrit fondet për të financuar mbështetjen për palestinezët e prekur nga lufta, premton miliona euro për Gazën

Rregullat e reja ndoqën dy hapat e mëdhenj që Françesku ndërmori vitin e kaluar për të vendosur gratë në pozita vendimmarrëse në Vatikan.

Në njërin hap, ai reformën domethënëse që do të lejojë çdo katolik të pagëzuar, përfshirë gratë, të kryesojë shumicën e departamenteve të Vatikanit, sipas një kushtetute të re për administratën qendrore të Selisë së Shenjtë.

Vitin e kaluar, ai emëroi gjithashtu tri gra në komitetin, i cili më herët ishte tërësisht me burra, që e këshillon atë për zgjedhjen e peshkopëve botërorë.

Për vite me radhë, grupet e grave në Kishë kanë kërkuar të drejtën për të votuar në sinodet e profilit të lartë të ngarkuar për përgatitjen e rezolutave, të cilat zakonisht çojnë në një dokument papnor.

Në vitin 2021, Françesku, për herë të parë emëroi një grua në pozicionin e dytë në autoritetet e Vatikanit, me çka motër Raffaella Petrini u bë gruaja e rangut më të lartë në shtetin më të vogël në botë.

Lexo më shumë  Pak para se të lansonte raketat mbi pozicionet e ukrainasve, sistemi raketor rus Buk-M1 shkatërrohet – goditet direkt

Në të njëjtin vit, ai emëroi murgeshën italiane, motrën Alessandra Smerilli, në pozicionin numër dy në Zyrën për zhvillim të Vatikanit, e cila merret me çështjet e drejtësisë dhe paqes.

Ai emëroi gjithashtu Nathalie Becquard, një anëtare franceze e motrave misionare Xaviere, si bashkë-nënsekretare të departamentit të Vatikanit që përgatitë sinodin.

Sinodi i ardhshëm është përgatitur për dy vjet, gjatë të cilëve katolikët në mbarë botën u pyetën për vizionin e tyre për të ardhmen e Kishës.

Avokuesit e përshëndetën konsultimet, si mundësi për të ndryshuar dinamikën e pushtetit të Kishës dhe për t’i dhënë një zë më të madh katolikëve, duke përfshirë gratë dhe njerëzit në margjinat e shoqërisë.

Konservatorët thonë se procesi ishte një humbje kohe, se mund të minojë strukturën hierarkike të Kishës prej gati 1.4 miliardë anëtarësh dhe se në afat të gjatë mund të zbehë doktrinën tradicionale, raporton AFP./REL

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *