Ndotja e ujërave në lagunat e Lezhës po vret peshqit dhe biodiversitetin
Derdhja e ujërave të zeza në lagunat e Merxhanit dhe Kune Vainit në Lezhë ka dëmtuar rëndë peshkun dhe ekonominë e peshkatarëve në këto zona, por ankesat bien prej vitesh në vesh të shurdhër.
Sipërfaqja e ujit në lagunat e Merxhanit dhe Kune-Vainit në Lezhë është e mbuluar me alga dhe merr shpesh ngjyrë të zezë. Era e rëndë e ujërave të zeza ndjehet më shumë në verë, por kanalet e zbuluara që derdhen direkt prej hidrovorit në lagunë janë të dukshme edhe në dimër.
Peshkatarët e zonës thonë se kjo e ka bërë punën e tyre të pamundur. Sipas tyre, peshk ka më pak dhe thuajse çdo vit, në kanalet që derdhen në laguna regjistrohen episode me peshq të ngordhur që dalin në sipërfaqe.
Prek Nika, 70 vjeç, një nga peshkatarët më të vjetër në lagunën e Merxhanit në Lezhë thotë se prej 5 vjetësh gjendja vetëm rëndohet, ndërsa në lagunë ujërat e hidrovorëve po vrasin biodiversitetin.
“Unë kam një jetë që merrem me sektorin e peshkimit. Vitet e fundit po hasemi në vështirësi të shumta. Ndotja e lagunës ka reduktuar ndjeshëm gjallesat nënujore përshirë dhe peshkun. Në periudhën pranverë-verë këtu nuk punohet fare, sepse uji ndotet dhe nuk ka fare peshk,” thotë Nika.
Të dhënat e bëra publike nga INSTAT bazuar në raportimet e Ministrisë së Bujqësisë i japin të drejtë peshkatarit. Ndërsa sasia e peshkut të kapur në Shqipëri është rritur nga 12.500 ton në vitin 2016 në 16,800 ton në vitin 2020, në laguna kjo sasi ka rënë me 6 herë.
Të dhënat tregojnë se rënia ka vijuar për disa vite radhazi, por u bë e dukshme në vitin 2019, kur sasia e kapur ra në 93.5 ton nga 350 ton që kishte qenë një vit më parë.
Eksperti i mjedisit, Jak Gjini thotë se arsye për këtë rënie është ndotja e ujërave të ëmbla që derdhen në laguna.
“Ujërat e zeza që shkarkohen përmes lumit Drin apo dhe kanaleve në laguna po japin një impakt mjaft negativ. Janë reduktuar gjallesat ujore në laguna përfshirë dhe peshkun”, thotë Gjini.
Ministria e Bujqësisë që kontrollon sektorin e peshkimit i tha BIRN në përgjigje të një kërkese për informacion se ndotja nuk ishte arsyeja kryesore e mungesës së peshkut në laguna. “Natyrisht edhe ndotja ka ndikimin e saj, por ky element nuk është faktori kryesor,” thuhet në përgjigje, në të cilën pretendohet se ndotja në lagunat e Lezhës ka qenë më e madhe para viteve 90’.
Ministria thotë se faji është kryesisht i klimës dhe i shfaqjes së gjallesave të reja, për të cilat nuk ka grabitqarë natyralë. “Luhatjet e prodhimit në laguna varen nga shumë faktorë si: ndryshimet klimatike, shfaqja e specieve të tjera jo vendase, callinectes sapidus (gaforrja blu), e cila po sjell një impakt shumë negativ jo vetëm në lagunat shqiptare, por në gjithë Mesdheun,” thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Statistikat e Ministrisë së Bujqësisë të bërë publike nga INSTAT tregojnë se ‘callinectes sapidus’, gaforrja e famshme blu që dëmton rrjetat, ka filluar të peshkohet edhe në Shqipëri. Në vitet 2019 dhe 2020 janë zënë 44 ton të kësaj gaforreje, që përfshihet në sasitë e peshkut të kapur në laguna.
Peshkatari Nika thotë se pavarësisht gaforres blu, ndotja është e tillë saqë i ngordh peshqit dhe i nxjerr në sipërfaqe.
“Eshtë një situatë që përsëritet prej të paktën 5 vjetësh, duke e penalizuar rëndë sektorin e peshkimit. Në lagunë derdhen ujëra të ndotura përmes hidrovorit, duke sjell ngordhjen e peshkut e gjallesave të tjera nën ujore që shpesh herë dalin dhe në sipërfaqe,” thotë Nika.
Sipas peshkatarit, ankesat e shumta kanë rënë në vesh të shurdhër. Ai thotë se i vetmi reagim nga instititucionet ka qenë matja e ndotjes, por kjo nuk është shoqëruar me masa të tjera. “Në këtë situatë, pjesën më të madhe të vitit ne nuk punojmë dhe po shkojmë drejt falimentimit,” shtoi ai.
Edhe Mikel Zefi, peshkatar prej 25 vjetësh në lagunën e Kune-Vainit fajëson ndotjen e lartë për mungesën e peshkut në rrjeta. “Gjatë viteve të fundit, ndotja që është krijuar është shumë e madhe dhe këtë e dëshmon dhe uji që dhe ju e shikoni që është i zi dhe ka krijuar alga,” tha Zefi.
Ai shpjegon se kjo situatë mjedisore ka sjellë në shkatërrimin total të peshkut, pasi shpesh ka ngordhje masive dhe pengohet shumimi.
Drejtues të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe bashkia e Lezhës e pranojnë problemin që vjen nga ndotja.
Gjergj Elezi, përgjegjës i sektorit të Inspektimit të Mjedisit dhe Ujërave në IKMT-Lezhë, i tha BIRN se në territor ishin identifikuar disa nga pikat e shkarkimit të ujërave të zeza, kryesisht në dy anët e Lumit Drin dhe Kanalin e Fildanës.
Ai shton se banesat dhe bizneset e ndërtuara në zonën e Ishullit, pranë lagunës së Merxhanit, kanë gropa septike, të cilët ulin në njëfarë mase ndotjen, por që nuk i japin zgjidhje problemit.
“Zgjidhja e vetme është përfshirja në një rrjet kanalizimesh që të gjitha të shkarkohen e të përpunohen në impiantin e ujërave të ndotura,” tha Elezi.
Ndërkohë, Bashkia Lezhë, e pyetur mbi problematikën thotë se është duke punuar për një projekt të mbështetur nga donatorë të huaj, për të bërë disiplinimin e ujërave të zeza që mos të derdhen në Lumin Drin të patrajtuara, por pranon se për zonat e tjera ende nuk ka një plan për t’i dhënë zgjidhje problematikës.
Për ekspertin e mjedisit, Gjini, mungesa e ndërhyrjes nga institucionet bën që rreziku të rritet vit pas viti.
“Nëse nuk do i jepet zgjidhje kësaj problematike, rreziku është shumë i madh, pasi do vijë dita që s’do kemi më asnjë gjallesë apo peshk në këto rezervate që kanë vlera të jashtëzakonshme dhe kanë qenë mjaft të pasuara deri të paktën para 15 viteve,” përfundoi ai./reporter.al/
Rruga Press