Ndeshja e 12 tetorit, 180 mijë kërkesa për bileta në Shqipëri-Çeki
Dhjetëra mijëra kërkesa për ndeshjen e 12 tetorit, ku Shqipëria do të presë Republikën Çeke në Arenën Kombëtare. Bëhet fjalë për rreth 180 mijë të interesuar për një vend në stadium, madje ka nga ata që flasin edhe për 200 mijë kërkesa.
Sido që të jetë, ecuria entuziazmuese e Shqipërisë në kualifikueset e “Euro 2024” ka nxitur një garë të paprecedentë për të siguruar bileta. Portali i blerjes “online” bllokohet shpesh nga numri i lartë i përdoruesve, edhe pse biletat nuk kanë dalë ende në shitje.
Pas fitores madhështore ndaj Polonisë, ku Kombëtarja mori edhe kryesimin e Grupit E, të gjithë janë entuziastë. Skuadra e Sylvinho bind me lojë, entuziazmon mbështetësit në tribuna dhe ka shansin më të mirë që të sigurojë pjesëmarrjen në “Euro 2024”, që do të zhvillohet në Gjermani.
Me një rezultat pozitiv kundër Republikës Çeke, ky objektiv do të hipotekohej. Të gjithë tifozët, edhe ata që Kombëtaren e kanë ndjekur rrallë në stadium, duan të jenë në mbështetje të skuadrës. Duan të emocionohen dhe të festojnë me kuqezinjtë, që i kanë bërë krenarë më tepër se çdo gjë tjetër.
Rruga Press