Bota

Ndërsa Kroacia kujton Holokaustin, qeverisë i kërkohet të ndalojë simbolet ustashe

Parlamenti kroat e filloi seancën e tij me një minutë heshtje për të përkujtuar Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit të enjten, ndërsa një delegacion i kryesuar nga zëvendëskryeministri Boris Milosevic dhe ministrja e kulturës Nina Obuljen Korzinek vendosi kurora me lule në varrezat Mirogoj në kryeqytetin Zagreb.

Kryeministri Andrej Plenkoviç e përshkroi Holokaustin si “një nga krimet më të këqija në historinë njerëzore” dhe i bëri homazhe viktimave të regjimit ustashë aleat nazist të epokës së Luftës së Dytë Botërore të Kroacisë, i cili internoi dhe vrau hebrenj, serbë, rom dhe antifashistët në kampe si ai i Jasenovacit.

“Sot është dita kur duhet të kujtojmë kampet famëkeqe të ustashëve, mbi të gjitha Jasenovacin, ku u vranë mijëra hebrenj, serbë, romë dhe kroatë antifashistë dhe demokratë… Jasenovaci është një pjesë e dhimbshme dhe tragjike e historisë kroate dhe kujtimi dhe dënimi i përjetshëm i tij është një pjesë e kulturës sonë të kujtimit”, tha Plenkoviç, raportoi faqja e lajmeve N1.

Lexo më shumë  Kroacia nuk do përfshijë serbët në qeverisje

Kreu i komunitetit hebre kroat Ognjen Kraus ishte gjithashtu në ceremoninë në varrezat e Mirogojit, ku ai u tha mediave se “ne jemi këtu sot për të kujtuar periudhën më të errët në qytetërimin evropian”.

Megjithatë, Kraus tha se Kroacia “ende shtiret se është antifashiste” duke ruajtur status quo-në, në të cilën simbolet dhe sloganet e regjimit fashist ustash nuk janë ndaluar për të qetësuar “disa nga votuesit tanë të krahut të djathtë”.

Kraus tha se vitin e kaluar atij iu premtua një takim në shtator me Plenkoviçin në lidhje me ndryshimet ligjore për të shpallur të jashtligjshëm përdorimin e simbolizmit ustash, por takimi ende nuk është zhvilluar.

Ai u tha gazetarëve se kishte “gjithnjë e më pak besim” se takimi dhe ndryshimet ligjore do të ndodhin.

“Por unë nuk kam hequr dorë nga takimi dhe do të vazhdoj të përpiqem. Po pres një përgjigje të qartë për pyetjen time,” shtoi Kraus, raportoi N1.

Kur u pyet për këtë temë në varrezat Mirogoj, zëvendëskryeministri Milosevic tha se Plenkoviç nuk është kundër ndryshimeve ligjore dhe se “ne duhet të diskutojmë se cila është mënyra më e mirë për të gjithë ne për të arritur qëllimin që duam”.

“Bisedimet patjetër do të vazhdojnë, ajo temë është në tavolinë, unë jam i interesuar për të dhe do ta shtyj më tej”, shtoi Milosevic./balkaninsight/

Rruga Press

YouTube player