Ndarja nga jeta e Papa Françeskut, reagon Albin Kurti: Trashëgimia e tij do jetojë përgjithmonë
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka ndarë një mesazh për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut.
U trondita sot nga lajmi për ndarjen nga jeta të Shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut. Si udhëheqësi shpirtëror i 1.4 miliardë katolikëve në mbarë botën, ai ishte një zë i guximshëm për paqen dhe drejtësinë ndërkombëtare, dhe një mbrojtës i palëkundur i të varfërve dhe të margjinalizuarve në të gjitha shoqëritë. Si Papa i parë joevropian në më shumë se 1200 vjet, ai shënoi një pikë kthese në historinë e Kishës.
Takimi im me Papën më 22 qershor 2023 — gjatë të cilit riafirmuam përkushtimin tonë të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Vatikanit dhe Republikës së Kosovës — mbetet një nga momentet më domethënëse gjatë kohës sime si Kryeministër deri tash. Ai bënte pyetje për Kosovën, për rininë e fëmijët dhe fliste për paqen me dashuri e për popujt me dhembshuri.
Është një takim që do ta kujtoj gjithmonë me kujdes dhe mirënjohje.
Pushoftë në paqe Papa Françesku. Trashëgimia e tij e mirësisë, përulësisë dhe guximit moral le të vazhdojë të frymëzojë dhe ndriçojë botën për brezat që vijnë.
Rruga Press