Ndalimi i dinarit serb, Kurti i prerë: Kushtetutshmëria, ligjshmëria, vendimmarrja nuk negociohet
Kryeministri i vendit, Albin Kurti nuk ka ndryshuar qasje sa i takon vendimit të BQK-së për ndalimin e dinarit serb në Kosovë. Kreu i qeverisë u shpreh se Kushtetuta, ligji dhe vendimmarrja e insitucioneve të Kosovës nuk negociohen.
Kryeministri Kurti shtoi se faza tranzitore ka nisur prej dhjetorit të vitit të kaluar dhe gjithçka ka vijuar rregullisht.
“Pikërisht përgatitjet e suksesshme për zbatimin e rregullores së BQK-së kanë alarmuar Beogradin zyrtar dhe ata më pastaj u përpoqën që të prahapin panik nëpërmjet një fushate që trumbetohej nga kreu i shtetit atje. Me informatat që i kam gjithçka po shkon në rregull, por, nëse ka ndonjë vërejtje a ankesë, ne do ta adresojmë me seriozitetin më të lartë dhe me shpejtësinë më të madhe”, ka deklaruar Kurti.
Sa i takon kërkesës së BE-së për këtë çështje, kryeministri Kurti u shpreh se BQK është institucion i pavarur dhe se institucioneve të pavarura nuk mund t’i mbivendosen politikanët.
“BQK është institucion i pavarura i Kosovës, nuk munden politikanët t’i mbivendosen institucioneve të pavarura të shtetit, sepse asisoj e humbim karakterin e republikës demokratike për vendin tonë të pavarur. Kushtetutshmëria, ligjshmëria, vendimmarrja e institucioneve të pavarura nuk mund të negociohen nga politikanët”, deklaroi Kurti.
Këto komente, Kurti i bëri në nderimet për 34-vjetorin e rënies së dëshmores Elfete Humolli në Lupç të Poshtëm. Kryeministri Kurti ishte i shoqëruar me anëtarë të kabinetit qeveritar dhe me deputetë të Kuvendit të Kosovës.
“Sot shënojmë 34 vjetorin e demonstratës në të cilën nga forcat armike serbe u vra nxënësja Elfete Humolli ende pa i mbushu 17 vjet. Elfetja Mentori dhe gjithë dëshmorët e kombit na dëshmojnë orët e historisë sonë dhe sa shtrenjtë është paguar liria e popullit dhe çlirimi i Kosovës”, deklaroi Kurti
Rruga Press